Chelsea është vetëm disa ditë larg përballjes me Real Madridin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Tottenhami është i përfshirë në një garë të ashpër për përfundim në top katërshe të Premierligës angleze. Leicester City është në një luftë edhe më të fortë për të shmangur rënien nga divizioni fitimprurës i Anglisë. Të tri klubet kanë objektiva shumë të ndryshme për në javët e fundit të sezonit.
Megjithatë, në një aspekt, ata janë në të njëjtin pozicion. Asnjëri prej tyre nuk ka një trajner të përhershëm. Në një hark të çmendur tetëditor, tri nga klubet më të mëdha të futbollit anglez menduan se ishte më mirë të hiqnin qafe trajnerët e tyre shumë të respektuar pa pasur ndonjë plan real për t'i zëvendësuar ata. Nuk është çudi që kaq shumë thonë se biznesi i futbollit operon në një botë më vete.
Pra, Chelsea shkon në ndeshjen e ligës kundër Wolverhamptonit të shtunën me Frank Lampardin si mbulesë të përkohshme për Graham Potterin të shkarkuar. I njëjti Lampard që nuk u konsiderua mjaftueshëm i aftë për të udhëhequr një skuadër që luftonte për ta shmangur rënien - Evertoni e shkarkoi atë në janar - dhe që vetë Chelsea e shkarkoi dy vjet më parë.
Tottenhami hyn në një ndeshje të madhe në shtëpi kundër rivalit të top-katërshes, Brightonit, jo me fituesin serial Antonio Conten në krye - ai u shkarkua më 26 mars - por me ish-asistentin e tij, Cristian Stellinin, si trajner të përkohshëm. Stellini është numri 2 prej kohësh, i cili me sa duket ka të njëjtën qasje pragmatike si njeriu që ka zëvendësuar në krye të Tottenhamit.
Sa i përket Leicesterit, i cili pret një tjetër ekip që lufton për mbijetesë, Bournemouthin të shtunën, duket se pronarët e klubit besojnë se skuadra është më mirë nën drejtimin e kujdestarit apo saktësisht ndihmëstrajnerëve Adam Sadler dhe Mike Stowell - të cilët nuk kanë përvojë në menaxhimin e ekipeve në nivel të lartë – të shkarkuarit Brendan Rodgers, i cili më parë ka qenë trajner në Liverpool dhe Celtic, dy nga klubet e profilit të lartë britanik.
Dymbëdhjetë trajnerë të Premier Leagues janë shkarkuar tashmë këtë sezon - një numër i madh për një sezon të vetëm - dhe mund të mos përfundojë me kaq. David Moyes i West Ham Unitedit është nën presion serioz për pozicionin e tij pasi humbja 5:1 nga Newcastle Unitedi të mërkurën e la ekipin e tij jashtë zonës së rënies vetëm në diferencë golash. West Hami viziton Fulhamin të shtunën, dhe një tjetër humbje mund të sjellë fundin për Moyesin. Paniku po përhapet në ligë në të dyja skajet e renditjes, kryesisht për shkak të presioneve financiare. Hyrja në Ligën e Kampionëve mund t'i afrohet 100 milionë dollarëve për ekipet. Ndërkohë, rënia nga elita, do të thoshte humbje e madhe parash nga çmimet dhe marrëveshjet e mëdha të transmetimit të ofruara në Premier League.
Largimi i Contes ishte ndoshta më i kuptueshëm, duke pasur parasysh prishjen e dukshme në marrëdhëniet e tij me lojtarët e Tottenhamit dhe bordin. Mbajtja e Stellinit është konfuze, megjithatë, dhe paraqitja në barazimin 1:1 ndaj Evertonit të hënën nuk sugjeroi se do të kishte një ndryshim të rëndësishëm në stilin e lojës. Fakti që Brightoni është kundërshtari këtë fundjavë është me vend, duke pasur parasysh se ekipi nga bregdeti jugor është pothuajse një model se si të drejtohet një klub. Brightoni ka ndryshuar gjithashtu trajnerin këtë sezon, por vetëm sepse Chelsea e joshi Potterin në shtator. Megjithatë, mund të kishte qenë një bekim, me Roberto De Zerbin që mori rezultate më të mira dhe e ngriti ekipin në vendin e gjashtë, katër pikë prapa Tottenhamit të vendit të pestë që ka luajtur edhe dy ndeshje më pak.
Brightoni, një gjysmëfinalist i Kupës FA, ka humbur vetëm një nga 15 ndeshjet e tij në të gjitha garat në vitin 2023 dhe po sfidon të gjitha skuadrat për Champions, duke qenë se ende duhet të luajë me Newcastlen e vendit të tretë dhe me Manchester Unitedin e vendit të katërt. Zëvendësimi i Potterit me Lampardin te Chelsea, është diçka e çuditshme dhe shton ndjenjën e konfuzionit dhe kaosit në vitin e parë të pronësisë amerikane.
Ndeshja në Wolvesit do të thotë më shumë për nikoqirët e kërcënuar me rënie, duke parë se Chelsea po ngec në vendin e 11-të në tabelë dhe sigurisht jashtë garës për katër më të mirat. Pritet që Lampardi të ndërrojë skuadrën e tij, me gjasë duke i mbajtur të freskët lojtarët më të rëndësishëm për ndeshjen e parë kundër Real Madridit në Spanjë të martën. Nuk ka asnjë shenjë të një zëvendësimi të përhershëm për Rodgersin të shpallur në Leicester para duelit me Bournemouthin, kështu që i takon asistentëve Sadler dhe Stowell përsëri që ta udhëheqin ekipin drejt fitores së parë në tetë ndeshjet e ligës.
Është një ndeshje shumë e rëndësishme, me Leicesterin në vendin e fundit dhe Bournemouth dy pikë më shumë dhe dy pozita më lartë. Janë dy nga nëntë skuadrat që ndahen me shtatë pikë në fund të renditjes. Ky sezon në Premier League po del të jetë i jashtëzakonshëm në çdo aspekt.