Fisi Grezda është djaloshi 12-vjeçar nga Gjakova që synon majat e tenisit evropian e botëror. Është goxha premtues marrë parasysh predispozitat fizike që ka.
Fisi është i gjatë 180 centimetra, kurse numrin e këmbës e ka 46. Me shtatin që ka, dallohet nga gjithë moshatarët. Babai i Fisit, Vetoni, thotë se nga gjithë moshatarët, por edhe nga djemtë deri në moshën 15-vjeçare, Fisi ka dallim të madh. Ai beson në talentin e Fisit, ndërsa tenisti i ri veçse ka nisur me suksese në këtë sport. Fisi Grezda jeton në Bruksel të Belgjikës.
Falë sukseseve në të kaluarën, ai mori ftesë nga akademia e famshme “Mouratoglu Tennis Academy” në Nice të Francës, për një test njëjavor në mars të vitit të kaluar. I impresionoi të gjithë në testet për tenis, fitnes e shkollim.
Është kjo prej akademive më të suksesshme në botë. Çdo vit prej saj dalin afërsisht dhjetë lojtarë që bëhen pjesë e Top-100 të botës.
Në Akademinë e tenisit “Mouratoglu”, Grezda ka takuar shumë legjenda të tenisit. Është takuar me Patrick Mouratoglun, themeluesin e akademisë dhe trajnerin e Serena Williamsit që prej vitit 2012. Takoi Mary Piercen, reprezentuesen e Francës në tenis si dhe fituese e dy Grand-Slameve. U takua edhe me numrin dy të botës, Daviil Medvedev, që stërvitet aty. Po ashtu, takoi edhe Stefano Tsitsipasin, i cili është rritur në atë akademi nga mosha e re e deri në moshën 18-vjeçare. Sukseset e gjithë këtyre synon që t’i ketë edhe vetë ai.
“Kam fituar dy turne tash në janar. Në dy federata, në Federatën Frankofone dhe Flamane në Belgjikë. I kam fituar dy kupa dhe kam kaluar shumë mirë. Jam avancuar dhe jam shumë i gëzuar me këtë gjë. Mendoj që mund të arrij në tenis më shpejt se që mund të arrijnë të tjerët. Duhet të vazhdoj të punoj, sepse pa punë dhe disiplinë nuk ka asgjë”, ka thënë Fisi Grezda në një intervistë dhënë KOHËS të enjten.
Sporti i parë që ka nisur ta luajë Fisi ka qenë futbolli. Në moshën trevjeçare ai nisi ta shkelmojë topin, por që nuk ka menduar për shokët e skuadrës. Ka dashur të luajë i vetëm. Kështu kaloi në një sport individual, ku përgjegjësia për sukses e mossukses është vetëm e tij.
“Kam luajtur shumë mirë futboll, por nuk kam qenë edhe aq i mirë për sport kolektiv. Trajnerët e kanë vërejtur dhe i kanë treguar babait”, thotë duke qeshur Grezda i ri.
“Me tenis fillova në moshën 6-vjeçare. Ka qenë sport që nuk e kam njohur kurrë, sepse nuk e kam shikuar asnjëherë. Kam nisur ta shoh atë në televizor dhe ka nisur të më pëlqejë. Është sport që luhet me mend, qetësi dhe individualisht. Kam dashur që ta marr sportin me qetësi, sepse më bënte mirë mua personalisht”, thotë Fisi, duke shtuar se në këtë sport dirigjuesi është vetë ai.
Terrenet me dhe i pëlqejnë më shumë. Thotë se topi hidhet më lart dhe mund të rrëshqasë e të vrapojë më shpejt.
Mbret i tenisit në rërë padyshim se është Rafael Nadal. Por, Nadali nuk është i pëlqyeri i Grezdës.
“Nadali është lojtar shumë i mirë, por nuk e ka stilin tim. Më pëlqen Roger Federeri, sepse është shumë i qetë dhe kur luan duket sikur po kërcen balet. Nuk duket se po luan tenis, sepse është shumë i lehtë. Shërbimin e kam pikën e fortë, sepse jam i gjatë dhe i fitoj pikët më shumë në shërbim, por edhe volej-gjuajtjet i kam të forta, si dhe lojën në rrjetë”, ka thënë Fisi.
Babai Vetoni tregon se Fisi stërvitet shtatë ditë në javë dhe katër herë në javë ka përgatitje me trajner të fitnesit.
“Forma fizike është ndër bazamentet kryesore për avancimin e një tenisti. E kemi filluar vitin me një plan, e përfundojmë, vazhdojmë vitin tjetër me planin tjetër. Përveç këtyre që i përmenda, Fisi dy herë në javë shkon edhe në not”, tregon me krenari babai i tij.
Ata thonë se arritja në Grand-Slame është synimi kryesor i secilit tenist në botë. Janë të bindur se me disiplinë, që është çelësi i suksesit, do t’ia arrijnë një gjëje të tillë.
“Disiplina është çelësi i suksesit te Fisi, është i disiplinuar. Nuk kemi pasur probleme sa u përket shkollave, akademive ku ka qenë, ka qenë me pozitivitet, ka marrë gjithmonë notat më të larta dhe lëvdatat kanë qenë më të mirat”, thotë Veton Grezda.