Trajneri i Clujit, Dan Petrescu, njihet për deklaratat e matura para dhe pas ndeshjeve. Kështu e paraqesin mediumet në Rumani.
I kujdesshëm Petrescu u shfaq edhe të mërkurën, në konferencën para ndeshjes kundër Ballkanit.
Petrescut i ka pëlqyer mënyra se si luan Ballkani. Ai ka thënë se gjasat në ndeshjen e parë të grupit G të Ligës së Konferencës janë të barabarta.
Ndeshja në mes të Ballkanit dhe Clujit do të zhvillohet të enjten nga ora 18:45 në “Fadil Vokrri”. Cluji është kampion i Rumanisë.
“Çdo ekip që hyn në fushë dëshiron të fitojë. Nuk mendoj se ka ndonjë ekip në grupet evropiane që nuk dëshiron të fitojë. Nuk mund të arrish këtu nëse nuk ke vlera. Në grupin tonë nuk ka skuadra të vogla apo të mëdha, është një grup i balancuar. Tifozët, emocionet, mënyra se si luajnë më bëjnë të mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Kam parë disa ndeshje, më pëlqeu ajo që pashë. Kundërshtari do ta jep më të mirën në ndeshjen kundër nesh dhe gjasat janë 50-50”, ka thënë Petrescu.
Ai u paraqit i vetëm në konferencën para ndeshjes kundër Ballkanit. Trajneri rumun ka bërë të ditur se do të ketë mungesa të rëndësishme në skuadër për sfidën kundër kampionit kosovar, ndërsa për ardhjet e reja ka theksuar se nuk janë ende gati për ndeshje evropiane.
“Cristi Manea është i lënduar, ndërsa ka probleme edhe Claudiu Petrila. Blerjet e reja nuk e dimë nëse janë gati për ndeshje të një rëndësie të tillë. Duhet të presim pak”, është shprehur Petrescu.
Pas konferencës së Petrescut për media, futbollistët e kampionit të Rumanisë zhvilluan stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri” ku edhe luhet ndeshja. Këtë luks nuk e kishte Ballkani.
Petrescu pret maksimumin nga futbollistët e tij në ndeshjen e së enjtes.
Cluji e nisi rrugëtimin evropian në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Nuk arriti të kalojë tutje, ndërsa vazhdoi garën në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në këtë raund garash eliminoi Inter d’Escaldesin, ndërsa pa problem e kaloi edhe raundin e tretë. Në plejof mposhti Mariborin. Në grup me Clujin dhe Ballkanin janë edhe Slavia Praga dhe Sivasspori.
Cluji nuk e ka nisur mirë sezonin. Në shtatë ndeshje ka shënuar katër fitore dhe ka pësuar tri disfata. Është në vendin e shtatë në kampionatin rumun me 12 pikë.
Në shtatë ndeshje ka shënuar 13 gola, ndërsa ka pësuar nëntë. Ndërkohë, Ballkani në tri ndeshje të zhvilluara ka po aq fitore.
Cluji ka përvojë në fazën grupore të kupave evropiane, kurse Ballkani për herë të parë është në këtë fazë.