Bledian Krasniqi ka shumë të arritura si 17-vjeçar. Ka luajtur për Përfaqësuesen U17 të Zvicrës në Evropian, e ka nënshkruar kontratën e parë profesionale dhe ka luajtur në Ligën e Evropës. Të gjitha këto suksese Krasniqi i arriti sa ishte pjesë e Zuerichut, skuadër të cilës iu kthye nga huazimi dyvjeçar te Wili. Falë paraqitjeve të mira te Wili, Krasniqi, tani 19-vjeçar, ditë më parë nënshkroi kontratë të re me skuadrën e Zueriuchut. Ai e vazhdoi kontratën deri në verën e vitit 2024 dhe thotë se është i gatshëm për hapin tjetër në karrierë. Krasniqi në 70 ndeshje të luajtura për Wilin ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar katër herë.
“Synimet janë të arrij sa më lart në karrierë”, thotë Krasniqi, i lindur në Zuerich, ndërsa prindërit e tij janë nga Gjilani.
Në familjen e tij asnjë anëtar nuk është marrë në mënyrë profesionale me sport.
“Te FC Wil kam përfituar shumë si lojtar, pasi kisha fatin të punoja me dy trajnerë me karrierë të njohur futbollistike, Ciriaco Sforzan dhe Alexander Frein. Sidomos me këtë të fundit kam arritur të bëj hapin që më duhej për t’u rritur si lojtar”, ka pranuar ai.
Krasniqi në Zvicër njihet për teknikën e mirë, ndërsa është ndër lojtarët më të talentuar të Akademisë së Zuerichut. Ai është i lumtur që është kthyer te Zuerichu, ku pret të jetë titullar prej sezonit të ri dhe të fitojë trofe.
“Besoj se kam bërë hapin më të mirë, pasi veç 12 vjet më herët isha pjesë e Zuerichut dhe aty u zhvillova si futbollist. Bisedimet e mira me përgjegjësit e klubit kanë luajtur rol që unë të vazhdoj te Zuerichu. Kam nënshkruar kontratë deri në vitin 2024, ndërsa synimi im është të bëhem titullar, të fitoj ndonjë trofe dhe më pas të shohim”, është shprehur futbollisti kosovar.
Të lumtur për kthimin e Krasniqit janë shprehur edhe në klubin zviceran. Drejtori sportiv, Marinko Jurendiq, ka theksuar se kthimi i Krasniqit në skuadër është vlerë e shtuar për Zuerichun.
“Në dy sezonet e tij në ‘Challande League’, Blediani ishte në gjendje të zhvillohej dhe të piqej si lojtar duke luajtur rregullisht në nivel të lartë për Wilin. Blediani tani është gati për hapin tjetër në karrierë. Ne jemi të kënaqur me atë që ka treguar Blediani te Wili. Ai do ta gjallërojë mesfushën tonë me personalitetin e tij”, tha Jurendiq ditë më parë.
Krasniqi është ftuar rregullisht te grupmoshat e reja të Zvicrës. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat. Së fundi ka luajtur një ndeshje me Përfaqësuesen U20 të Zvicrës. Por, ai thotë se të ardhmes nuk i dihet. Ai nuk ia ka mbyllur derën Kosovës, por shton se aktualisht është i fokusuar për klubin e Zuerichut.
“Deri tash kam luajtur për grupmoshat e Zvicrës, mirëpo tash për momentin fokusi im është te klubi i Zuerichut”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi thotë se nuk ka asgjë konkrete për të ardhmen e tij. Por, lë të hapur mundësinë ta përfaqësojë në të ardhmen Kosovën.
“Diçka konkrete nuk ka pasur deri më tani, por në të ardhmen gjithçka është e mundur”, ka thënë Krasniqi.