Sport

Superkupa e Spanjës sërish në Arabinë Saudite, Real Madridi synon trofeun

Superkupa e Spanjës në futboll po kthehet në Arabinë Saudite, me fituesin në fuqi, Real Madridin, që synon ta mbajë trofeun.

Real Madridi dhe Valencia kërkojnë të kthehen në rrugën e duhur, ndërsa Barcelona dhe Real Betisi shpresojnë ta mbajnë ritmin.

Ndeshja e parë gjysmëfinale është ajo ndërmjet Realit dhe Valencias, kurse luhet të mërkurën prej orës 20:00 në “King Fahd International Stadium” në Riad. Të dyja skuadrat kërkojnë fitore, pas humbjeve që i pësuan vikendin e shkuar në kuadër të La Ligas. Real Madridi u mposht 2:1 nga Villarreali për të mbetur tri pikë prapa Barcelonës. Ndërkohë, Valencia pësoi 1:0 në shtëpi për ta regjistruar humbjen e dytë rresht dhe tani është vetëm katër pikë larg zonës së rënies nga elita e futbollit spanjoll.

Reali, që është kampion në fuqi i La Ligas, vlerësohet favorit në gjysmëfinale ndaj Valencias, që sezonin e shkuar u mposht në finalen e Kupës së Spanjës.

“Sigurisht se duam të reagojmë pas humbjes së fundit që e pësuam në kampionat. Megjithatë, nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se Valencia përkundër renditjes në tabelë, ka një ekip të fortë. Duhet të tregohemi të kujdesshëm, por synimi është të kalojmë në finale dhe pastaj ta fitojmë trofeun e parë për këtë vit”, ka paralajmëruar sulmuesi brazilian i Realit, Vinicius Junior.

Reali në këtë përballje do të jetë pa mbrojtësin David Alaba dhe mesfushorin Aurelian Tchouameni, të cilët ende nuk janë rikuperuar nga lëndimet. Alaba e Tchouameni nuk kanë udhëtuar fare me ekipin. Trajneri Carlo Ancelotti mund të llogaritë në Dani Carvajalin, i cili ka lënë prapa lëndimin muskulor.

Alaba pritet të zëvendësohet nga Ferland Mendy, ndërsa për vendin e Tchouamenit do të luftojnë Eduardo Camavinga e Dani Ceballos. Karim Benzema do t’i prijë sulmit të Realit.

Valencia edhe këtë vit e ka nisur dobët, ndërsa ditët e fundit trajneri Gennaro Gattuso ka humbur dy lojtarë të rëndësishëm. Nico Gonzalez dhe Samu Castillejo nuk do të luajnë në Superkupën e Spanjës, derisa në dyshim mbetet edhe sulmuesi Marcos Andre. Valencia në tetë ndeshjet e fundit kampionale ka regjistruar vetëm një fitore. Trajneri Gattuso edhe këtë herë do të mbështetet në sulmuesin veteran, Edinson Cavani.

“Po kalojmë një moment të vështirë dhe po mundohemi e po punojmë shumë që të gjejmë një zgjidhje. Natyrisht që fitorja ndaj Real Madridit do t’i përmirësonte gjërat dhe në fushë do të dalim për kualifikim në finale”, ka paralajmëruar Gattuso, i cili po përballet me mësuesin e tij, Ancelottin.

“Unë fitova njëmbëdhjetë trofe me të. Ai është mësues dhe trajner i madh. Ai mund të menaxhojë çdo grup. Ai triumfoi tridhjetë vjet më parë dhe po triumfon tani. Do të jetë mirë ta takoj në fushë”.

Ndeshja e dytë gjysmëfinale do të zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në të njëjtin stadium në Riad. Barcelona dhe Betisi do të përballen në garën për Superkupë pas fitoreve që i shënuan në ndeshjet e fundit në kampionat. Barça u rikuperua nga rezultatet e fundit të dobëta, me një fitore të vështirë 1:0 në udhëtim tek Atletico Madridi për t’u shkëputur në krye. Ndërsa, Betisi vazhdoi fillimin e mirë të vitit me fitore 2:1 në Rayo Vallecano, për të qëndruar në zonën që dërgon në Ligën e Kampionëve.

“Ishte e rëndësishme për ne ta fitonim ndeshjen e fundit në kampionat, pasi do të luanim në Superkupë me Barcelonën. Kemi besim të madh dhe sigurisht që duam të vazhdojmë me rezultate pozitive në këtë vit”, është shprehur trajneri i Betisit, Manuel Pellegrini.

Trajneri i Barcelonës, Xavi, do të jetë në gjendje të llogarisë sërish te Robert Lewandowski pasi sulmuesi humbi sfidën ndaj Atleticos shkaku i pezullimit prej tri ndeshjeve. Megjithatë, atij i lejohet të luajë në Superkupë dhe do të startojë kundër Betisit.

Ky është edicioni i katërt i Superkupës me format të ri. Superkupa dikur luhej vetëm mes kampionit të ligës spanjolle dhe fituesit të Kupës së Mbretit. Tani marrin pjesë edhe nënkampionët e të dy garave, duke formuar një turne me katër skuadra.

Finalja e Superkupës së Spanjës do të zhvillohet të dielën prej orës 20:00 në ““King Fahd International Stadium” në Riad. Në tri edicionet e fundit të kësaj gare, Real Madridi ka triumfuar dy herë, në vitin 2020 dhe 2022. Ndërsa në vitin 2021 pati triumfuar Athletic Bilbao. Edicioni i vitit 2021 u pat luajtur në Spanjës për shkak të pandemisë së koronavirusit. Dy edicionet e tjera të Superkupës me katër skuadra u luajtën në Arabi Saudite.

Në vitin 2019 ishte arritur marrëveshja që Superkupa të luhej në Arabi Saudite. Marrëveshja i siguroi mbi 100 milionë euro federatës spanjolle.