Patriot Behrami, Shpejtim e Bashkim Bajoku dhe Lorent Murati qëndronin pranë njëri-tjetrit para se niseshin për në Oran të Algjerisë për të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare. Me katër boksierët e Kosovës qëndronin edhe trajneri Besim Brahimi dhe sekretari i Federatës, Latif Demolli. Diskutim të vetëm e kishin udhëtimin për në Oran të Algjerisë, prej ku edhe synojnë të kthehen me medalje. Suksesin në Oran nuk e vinin në dyshim.
Për vëllezërit Bajoku dhe Muratin është hera e parë që marrin pjesë në ngjarjen shumësportëshe, ku Kosova do të paraqitet me 39 sportistë të 13 sporteve të ndryshme. Behrami është i vetmi prej ekipit të boksierëve që ka marrë pjesë katër vjet më parë në Lojërat Mesdhetare në Tarragona të Spanjës. Atëbotë, Kosova pati debutuar në këtë ngjarje. Behrami i kategorisë deri 69 kilogramë thotë se synimi i tij është veç medalja. E arta madje.
“Përgatitjet i kemi zhvilluar në klubin tonë. Është hera e dytë për mua që marr pjesë. Kam qenë edhe në vitin 2018 në Tarragona të Spanjës. Besoj se mund të arrij të marr medalje”, ka thënë Behrami pak para nisjes për në Oran të Algjerisë, të martën pasdite.
Behrami është pjesë e klubit Gollaku, klub ku u zhvillua si boksiere edhe Donjeta Sadiku. Sadiku fitoi medalje të bronztë në Botërorin e zhvilluar në Turqi. Medaljen e fitoi si boksiere e klubit Uniteti. Megjithatë, Sadiku është rritur duke u stërvitur me Behramin dhe vëllezërit Bajoku.
Suksesi i Donjetës motivon Behramin dhe boksierët e tjerë. Shkaku i lëndimit, Sadiku nuk do të marrë pjesë në lojërat mesdhetare “Oran 2022”.
“Në Tarragona kam qenë shumë i ri. Ishte viti im i parë që merrja pjesë si senior, ndërsa tani qëllimin e kam të arrij të fitoj medalje të artë. Jam i përgatitur maksimalisht për ta arritur qëllimin. Besoj se mund të arrij të fitoj medalje”, është shprehur Behrami.
Krahas Behramit, medaljen e artë e synon edhe Shpejtim Bajoku. Bajoku insiston se është maksimalisht i përgatitur dhe i gatshëm për sukses në këtë ngjarje.
“Kemi stërvitur në klubin tonë Gollaku. Kishim plane që përgatitjet t’i zhvillonim në Gjermani, por nuk na lëshuan vizat dhe përgatitjet i zhvilluam në Prishtinë. Jam maksimalisht i përgatitur dhe synoj medalje të artë në Lojërat Mesdhetare”, ka thënë Bajoku.
Bajoku nuk ka fituar ndonjë medalje të madhe, ndonëse vlerësohet shpresë e boksit të Kosovës. Ai beson se ka ardhur koha për një sukses të madh.
“Qëllimi im është që këtë vit të arrij të fitoj medalje. Jam përgatitur maksimalisht dhe synoj medalje të artë”, është shprehur ai.
Prej boksierëve të tij, medalje pret edhe trajneri Besim Brahimi. Ai ka zbuluar se kishte anuluar të gjithë turnetë në mënyrë që Behrami dhe vëllezërit Bajoku të përgatiten sa më mirë për Lojërat Mesdhetare.
“Kemi anuluar thuajse të gjithë turnetë për vëllezërit Bajoku dhe Patriot Behramin. Nuk kemi marrë pjesë edhe në Evropianin për të rritur, vetëm që të përgatitemi sa më mirë për Lojërat Mesdhetare. Pres medalje nga të tre boksierët”, ka pranuar Brahimi. “Edhe nga boksieri Murati pres sukses. Ai është boksier nga Peja dhe ka dëshmuar vlerat e tij në disa turne me garues të fortë. Mendoj se këta djem do t’i sjellin medalje Kosovës nga Algjeria. Uroj të kenë fat edhe në short, por janë përgatitur shumë mirë. Ka dy muaj që janë të izoluar, ndërsa tri javët e fundit kanë pasur një regjim të madh. Pres prej tyre rezultate”.
Të martën bashkë me boksierët drejt Algjerisë kanë udhëtuar edhe atletët, notarët dhe lojtarët e badmintonit. Për Kosovën, kjo është hera e dytë që paraqitet në Lojërat Mesdhetare. Kjo ngjarje nis më 25 qershor dhe përfundon më 6 korrik.