Sport

Sporti paguan “çmim të lartë” për zgjedhjet lokale

Palestra

Shumica e kandidatëve për kryetarë të komunave kanë vizituar klubet sportive. Klubet janë treguar bujare në këtë fushatë parazgjedhore duke hapur dyert për dy e tre kandidatë për kryetarë komunash e në raste edhe për më shumë kandidatë. 

Klubet sportive që aktivitetin e zhvillojnë në palestra, nga kandidatët e shumtë për kryetarë mund të vizitohen vetëm edhe të hënën e të martën. Prej të mërkurës, përkatësisht nga 1 tetori, palestrat do të mbyllen për sportistë. 

Duket e pabesueshme, por shumica e palestrave në vend do të mbyllen për sportistët pikërisht për shkak të zgjedhjeve lokale që janë më 12 tetor. Palestrat mbyllen më 1 tetor dhe sportistët do të jenë jashtë tyre të paktën deri një javë pas zgjedhjeve.

Në vend se për stërvitje e ndeshje, palestrat do të shfrytëzohen për procesin e numërimit të votave. 
Mbyllja e palestrave bëhet në kohën kur kandidatët për kryetarë komunash japin premtime të shumta për përkrahje të klubeve sportive dhe sportistëve. Dhe krahas premtimeve, sporti merr goditje të madhe.

Goditen kryesisht klubet e basketbollit, hendbollit dhe volejbollit, që aktivitetin e organizojnë në palestra, por edhe klube të tjera si ato të sporteve luftarake. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka përjashtuar mundësinë që të lirojë palestrat për aktivitete sportive. Në një përgjigje me shkrim për njërën prej federatave të prekura direkt nga vendimi, bëhet e qartë se të mbyllura do të jenë shumica e palestrave në vend.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, qendrat komunale të numërimit caktohen në salla me përmasa të mëdha ose palestra sportive, të cilat duhet të vihen në dispozicion të komisioneve komunale të zgjedhjeve jo më vonë se dhjetë ditë para datës së zgjedhjeve. Në këtë rast, duke filluar nga 1 tetori, hapësirat e përcaktuara si qendra të numërimit dhe të rezultateve, përfshirë edhe palestrat, duhet të jenë nën menaxhimin e komisioneve komunale të zgjedhjeve për nevoja të procesit zgjedhor. Deri më datën 30 shtator, këto objekte mund të shfrytëzohen për aktivitete sportive. Pas kësaj date, ato nuk mund të përdoren për organizimin e aktiviteteve sportive, pasi duhet të jenë në dispozicion të plotë për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve”, shkruan në letrën e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Të paktën për tri javë palestrat do të jenë pa sportistë. Por “bllokimi” i tyre mund të zgjasë edhe më shumë.   

“Zbatimi i dispozitave ligjore është i domosdoshëm për të garantuar përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, shkruan tutje në përgjigjen e KQZ-së.

Më 1 shtator KQZ-ja ka miratuar qendrat komunale të numërimit. Në listë janë palestrat në Deçan, Gjakovë, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë, Rahovec, Pejë, Podujevë, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë, palestra “1 Tetori” në Prishtinë dhe ajo në pjesën veriore të Mitrovicës.
Pra, shumica e palestrave ku zhvillohen aktivitetet sportive në vend.

Ky bllokim ka vënë në pozitë të vështirë edhe federatat sportive, që janë organizatore të garave. Në federata thonë se asnjëherë nuk janë mbyllur kaq shumë palestra përnjëherë për shkak të procesit zgjedhor. 

Federata e Basketbollit e Kosovës të martën pritet të marrë vendim se si do të veprojë për edicionin e ri, që ende nuk ka nisur. Hapat e mëtejmë janë duke i shqyrtuar edhe Federata e Hendbollit dhe e Volejbollit. Me shumë gjasë kampionatet në sporte ekipore do të ndërpriten për një kohë.  

Telashe ka edhe për ndeshjet ndërkombëtare, pos atyre që luhen në Pallatin e Rinisë në Prishtinë që do të vazhdojë të jetë në dispozicion të sportistëve. Për shembull, Trepça më 22 tetor duhet të luajë në “Minatori” ndeshje të FIBA Europe Cup.

Në hendboll disa skuadra janë detyruar që të dy ndeshjet evropiane t’i luajnë në udhëtim, në pamundësi të shfrytëzimit të palestrave në vend. Më 4 tetor në “Shani Nushi” në Gjakovë, hendbollistet e Shqiponjës duhet të përballen me ato të skuadrës zvicerane, Yellow Winterthur. Nuk ka vendim të prerë për këtë ndeshje se ku e kur do të zhvillohet.

Ka edhe mungesë informatash për situatën e krijuar dhe hapat e mëtejmë. Ka po ashtu pakënaqësi për reagimin shumë të zbehtë të institucioneve sportive për mbylljen e palestrave.

Por tashmë është e qartë që sporti po goditet rëndë nga procesi zgjedhor për të cilin po bëhen premtime të panumërta, edhe për sportin, shpesh pa ndonjë bazë të qëndrueshme.