Sport

Provokimi i pritur i tifozëve rumunë në Prishtinë

TEKST I 17 QERSHORIT 2023

Me një kërkim të shpejtë në internet kuptohet qëndrimi plotësisht anti-Kosovë i tifo-grupit të Rumanisë, “Uniti sub tricolor”. Ky grup i tifozëve ka bërë thirrje “Kosova, Serbia” edhe më herët. Madje në shumë raste.

Dhjetëra anëtarë të grupit “Uniti sub tricolor” ishin të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. U larguan nga stadiumi rreth dhjetë minuta para fundit të ndeshjes pasi nisën me provokime. Mediat rumune kanë shkruar se ata kanë thirrur “Kosova, Serbia” dhe menjëherë policia ka intervenuar për t’i larguar nga stadiumi. Ndonjëri prej tifozëve rumunë edhe ka pranuar goditje, në bazë të asaj që shihet në video dhe raportohet nga mediat rumune.

Tifozët rumunë kanë hedhur disa mjete ndezëse, të cilat i kanë futur në stadium me gjithë numrin e madh të pjesëtarëve të sigurimit.

KOHA ka mësuar se në FFK ishin të informuar për mundësinë që tifozët rumunë të provokojnë. Dhe vendimi ishte që në momentin e parë që ka thirrje fyese, tifozët rumunë të largohen nga stadiumi. Kjo edhe ndodhi. Ndeshja nga UEFA ishte vlerësuar me rrezikshmëri të lartë, për shkak të gjendjes së sigurisë në veri të vendit.

Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe grupe të ndryshme të tifozëve rumunë kanë qëndrim anti-Kosovë.

Mediat rumune kanë shkruar se UEFA pritet ta dënojë Federatën rumune. Është parashikuar një gjobë financiare e po ashtu mundësia e zhvillimit të një ndeshjeve pa praninë e shikuesve, pasi telashe tifozët rumunë kanë shkaktuar edhe më herët.

KOHA i ka shkruar FFK-së për një qëndrim lidhur me provokimin e tifozëve rumunë, por nuk ka marrë përgjigje. Nuk kanë komentuar as përgjegjësit për siguri në stadium e po ashtu përgjigje nuk kishte nga Policia.

Shumë rumunë kanë kundërshtuar përmes shkrimeve në rrjete sociale veprimin e tifozëve të tyre në “Fadil Vokrri”. Kanë parashikuar që për ato provokime ndeshja me Izraelin do të luhet pa shikues.

Tifozë rumunë të premten kanë qëndruar në Beograd. Ata kanë shpalosur një pano me mbishkrim pro-serb dhe flamuj të Serbisë mbi territorin e Kosovës. Nuk është saktësuar nëse ishin tifozët që u larguan para kohe nga “Fadil Vokrri”.

Ndërkohë ka pasur fishkëllima në stadium kur është intonuar himni i Rumanisë. Kjo është vlerësuar e papranueshme nga lojtarët rumunë.