Prishtina është vetëm 90 minuta larg historisë. Futbollistët kryeqytetas shpresojnë që historinë ta shkruajnë në Norvegji, në ndeshjen kthyese të rrethit të tretë të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të futbollit evropian për klube. Prishtina të enjten e luan ndeshjen e kthimit ndaj Bodo-Glimtit, pas fitores në duelin e parë 2:1, javën e shkuar në stadiumin “Fadil Vokrri”. E fitore futbollistët e Prishtinës synojnë edhe në duelin e dytë. Me eliminimin eventual të ekipit norvegjez, Prishtina do të kualifikohet në raundin e plejofit të kësaj gare ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Mura – Zhalgiris. Sulmuesi Oto John, që shënoi gol në ndeshjen e parë, beson në ekip dhe kalimin tutje të Prishtinës.
“Shpresoj të shënoj gol, por më e rëndësishmja është ta ndihmojmë ekipin të arrijë në fazën tjetër. E rëndësishme është të luajmë së bashku, si ekip. Jemi të përgatitur për ndeshjen e kthimit dhe shpresoj në rezultat pozitiv”, tha John të mërkurën për KOHËN.
Mbi dy mijë tifozë të skuadrës norvegjeze pritet të jenë të pranishëm në stadiumin “Aspmyra Stadion”. Atyre nuk do t’u kërkohet pasaporta e vaksinimit për koronavirus. “Nuk ka rëndësi nëse ke një dozë, dy doza, apo asnjë dozë të vaksinës. Gjëja më e rëndësishme është që të vini në stadium për t’i përkrahur heronjtë tuaj”, thuhet në sajtin zyrtar të ekipit norvegjez.
Mirëpo, ky fakt nuk e shqetëson mbrojtësin e krahut të djathtë të Prishtinës, Besnik Krasniqin. Ai ka thënë se janë përgatitur tërë javën për duelin që mund të jetë historik për futbollin kosovar.
“E dimë mjaft mirë që do të jetë shumë e vështirë, duke ditur kundërshtarin që është shumë i fortë. Ne jemi bërë gati gjatë gjithë javës për këtë ndeshje. Jemi shumë të motivuar për këtë ndeshje dhe kam besim tek ekipi. Ne mund të kalojmë tutje”, ka thënë Krasniqi.
Te Prishtina mbështeten edhe në përvojën brenda ekipit. Përvojë në Evropë ka edhe Florent Avdyli, që fitoi titullin e kampionit të Shqipërisë me Teutën. Avdyli luajti edicionin e kaluar në gara evropiane, përkatësisht në Ligën e Evropës, kundër Beitar Jerusalemit dhe Granadas. Ndërsa, Prishtinës iu bashkua pak ditë para ndeshjes së parë ndaj Bodo-Glimtit, në të cilën debutoi.
“Jam shumë i lumtur për debutimin. Të them të drejtën, ambientimi nuk ka qenë fare i vështirë. Falënderoj stafin dhe shokët e skuadrës për besimin. Kjo më ka bërë të ndihem edhe më mirë që ta jap maksimumin tim në ndeshje”, tha Avdyli, që njësoj si shokët e skuadrës pret lojë të fortë, por ka besim në fuqinë që e ka Prishtina e bashkuar.
Arritja më e madhe e Bodo-Glimtit në garat evropiane,është rrethi i tretë i Ligës së Evropës sezonin e shkuar, ku u eliminua nga Milani. Tani është në të njëjtin raund, por një nivel më poshtë të garave. Tek ekipi norvegjez janë të vendosur ta eliminojnë Prishtinën, përkundër humbjes në ndeshjen e parë. Kështu ka paralajmëruar kapiteni Patrick Berg.
“Jemi në disavantazh 2:1 dhe ne duhet të hyjmë në fushë dhe të luftojmë. Duhet të luftojmë për këtë raund, sepse kjo është ajo që na duhet. Kemi pasur kontroll të mirë për 90 minuta në Kosovë, por për fat të keq pranuam dy gola, ku një ia shënuam vetes”, ka thënë Berg.
Për Prishtinën ky është edicioni i pestë që merr pjesë në arenën ndërkombëtare. Në katër vjetët e parë Prishtina mori pjesë në kualifikimet e Ligës së Evropës, ndërsa këtë vit e nisi në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por u eliminua në raundin e parë nga Ferencvaroshi i Hungarisë. Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Prishtina e vazhdoi aventurën evropiane në Ligën e Konferencës.