Sport

Plejofi pa favorit të madh

Trepça ka fituar Kupën e Kosovës në basketboll dhe ka pasur përkrahje të madhe të tifozëve. Sigal Prishtina e ka fituar Superkupën e Kosovës në basketboll. Këto dy skuadra synojnë titullin e kampionit të Kosovës, por nuk janë të vetmet.

Gara finale për titull, përkatësisht plejofi, starton në mesjavën e ardhshme. Dhe si rrallë në të kaluarën, nuk ka një favorit të qartë. Katër skuadrat e para në tabelë vlerësohen me gjasa për ta fituar titullin për edicionin 2022/2023.

Në plejof, Sigal Prishtina starton nga pozita e parë dhe kjo e favorizon paksa karshi skuadrave të tjera. Peja fillon prej pozitës së dytë dhe po ashtu ka favore në krahasim me katër skuadrat e tjera. Kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli nisë prej vendit të tretë, ndërsa Trepça prej vendit të katërt.

Gjasa shumë më të vogla vlerësohet se kanë Bashkimi i vendit të pestë dhe Vëllaznimi i pozitës së gjashtë. Ponte Prizreni do të luajë në plejaut për vend në Superligë, derisa Rahoveci largohet nga Superliga, nëse ndërkohë nuk ka ndonjë zhvillim të papritur.

Prishtina si e para dhe Peja si e dyta, kalojnë direkt në gjysmëfinale të plejofit. Pra do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur sfidat gjysmëfinale. Po ashtu do të kenë përparësinë e terrenit vendas në ndeshjet e fundit vendimtare. Në basketbollin kosovar terreni vendas shpesh është goxha avantazh.

Menjëherë në mesjavën e ardhshme zhvillohen ndeshjet e para çerekfinale. Ylli e pret Vëllaznimin, ndërsa Trepça e pret Bashkimin. Të dy skuadrat synojnë që pas dy ndeshjeve të sigurojnë gjysmëfinalen.

Gjysmëfinalja e plejofit fillon me të përfunduar seria çerekfinale. E më pas fillon finalja që luhet deri në tri fitore, ashtu si gjysmëfinalja.

Pas një edicioni shumë të gjatë me 28 xhiro, tifozët e shumtë të basketbollit i pret një periudhë prej një muaji e gjysmë me ndeshje të forta çdo tri ditë.

Testet finale para plejofit, skuadrat i kishin në fundjavë. Por ndeshjet e fundjavës tregojnë pak sa i takon forcës së skuadrave për plejof. Skuadrat kanë pushuar lojtarët që kishin ngarkesë fizike dhe kanë provuar lojtarë të rinj. Po ashtu, janë provuar skema të ndryshme taktike. Kështu që paraqitja në plejof do të dallojë shumë nga paraqitja në fundjavë. Ndeshjet e xhiros së 28-të nuk kanë ndikuar asgjë në renditje dhe nuk ka pasur ndonjë befasi, ashtu si pritej.

Dhe pas ndeshjeve të shumta në kampionat, në Superkupë e në Kupë, koha është për fazën vendimtare të kampionatit.

“Kemi përfunduar pjesën e rregullt dhe tani jemi gati për fazën e plejofit. Sigurisht që synimet i kemi të mëdha. Jemi përgatitur mirë gjatë kësaj kohe dhe jemi plotësisht gati për plejof. E rëndësishme është ta ruajmë fokusin, pasi kemi ekip dhe cilësi për ta fituar titullin. Por duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje”, ka theksuar basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi. Në dy finalet e deritashme, Trepça e kishte përballë Prishtinën. Të parën e humbi, të dytën e fitoi.

“Nuk mund të them nëse është më mirë që jemi në çerekfinale apo të ishim kualifikuar në gjysmëfinale. Ne nuk i kemi kushtuar shumë rëndësi pozitës në tabelë, por punës dhe përgatitjeve për të qenë sa më gati. Synimi është që të avancojmë në gjysmëfinale me dy ndeshje të fituara. Kemi mundësi për një gjë të tillë, bazuar në thellësinë që e kemi në ekip. Bashkimi nuk ka çka të humbë, por ne i kemi synimet e qarta prej fillimit dhe duam të shkojmë deri në fund, duke i fituar të gjitha ndeshjet”, ka shtuar Hajrizi.

Para fillimit të edicionit, Trepça është llogaritur favorite. Por për kohë të gjatë nuk ka bindur me paraqitje. Kjo i kushtoi me post trajnerit bullgar Lubomir Minchev dhe atij maqedonas Alek Jonçevski. Me turkun Engin Gençoglu, Trepça ka shfaqur më shumë, ndërsa do të testohet seriozisht në plejof.

Ylli si kampion në fuqi nisi zbehtë, ndërsa ka pasur lëkundje të formës gjatë kampionatit. Adis Beqiragiq është ankuar në fond jo të mjaftueshëm të lojtarëve, sidomos vendorë, dhe mbetet të shihet forca e vërtetë e skuadrës nga Suhareka.

Prishtina po ashtu ka pasur periudha të ndryshme në kampionat, ndërsa është kthyer në forcë me trajnerin nga Turqia, Ahmet Kandemir.

Peja ka udhëhequr për kohë të gjatë me trajnerin turk, Can Sevim. Më pas u fut në krizë të thellë rezultatesh. Sevim u largua e po ashtu edhe shumë lojtarë të huaj. Erdhi trajneri izraelit Rami Hadar dhe të tjerë amerikanë. Dhe Peja sërish u kthye në ritmin e fitoreve. Aktualisht është në seri fitoresh.

Të gjitha skuadrat kanë bërë ndryshime të mëdha në përbërje, sidomos sa i takon lojtarëve të huaj. Dhe cila ka forcën më të madhe do të tregojë plejofi.