Prishtinë, 16 shkurt- Albin Tahiri të martën e festoi ditëlindjen e 33-të, ndërsa të mërkurën skitari kosovar ka përfunduar në pozitën e 37-të në garën e sllallomit në skijim alpin në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Ishte gara e fundit për Tahirin në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin. Por Tahiri nuk mendon pensionimin. Ai ka synim që Kosovën ta përfaqësojë edhe pas katër vjetësh, kur do të mbushë 37 vjet.
“Pas Pekinit synimi im është të paraqitem në Olimpiadën e tretë për mua dhe Kosovën që mbahet pas katër vjetësh”, thotë Tahiri të mërkurën për KOHËN.
Tahiri ka përfaqësuar i vetëm Kosovën edhe në Lojërat Olimpike Dimërore në “PyeongChang 2018”, ndërsa thotë se do të punojë fort për të shkuar me normë edhe në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina”, që mbahen pas katër vjetësh. Në Pekin së bashku me Tahirin, Kosovën e ka përfaqësuar edhe 17-vjeçarja, Kiana Kryeziu. Skitarja Kryeziu e pati përfunduar javë më parë garën e sllallomit të madh në vendin e 49-të. Ishte e fundit nga garueset që e përfunduan garën. Përfundoi 46.50 sekonda prapa fitueses Sara Hector nga Suedia.
Tahiri në garën e fundit, të mërkurën, e përfundoi me kohë prej 2 minutave e 20.94 sekondash, duke përfunduar 18.57 sekonda prapa fituesit Noel Clement të Francës. Skitari nga Shqipëria, Denni Xhepa, përfundoi i 28-ti, ishte nëntë sekonda më i shpejtë se Tahiri. Garën e sllallomit e përfunduan 45 garues. Tahiri rezultatin më të mirë në Olimpiadën e Pekinit e arriti në kombinim ku doli i 15-ti nga 17 garues sa e përfunduan garën. Në sllallom të madh ishte i 30-ti, ndërsa në lëshim i 35-ti nga 36 garues sa e përfunduan garën.
“Para këtyre Lojërave nuk kam ditur çfarë të them për të ardhmen e karrierës sime. Por tani iu kam dëshmuar të gjithëve, po ashtu edhe vetes se mund të arrij ende rezultate të mira. Në fakt, i kam arritur rezultatet më të mira dhe ndihem ende i fortë për të garuar”, është shprehur Tahiri. “Kështu që, përfundimisht nuk është koha që ta përfundoj karrierën tonë, por do të vazhdoj ende për shkak se jam edhe skitari më i mirë i Kosovës në të gjitha disiplinat. Ishte gara e fundit dhe nesër mbrëma kthehemi në Kosovë. Kur i mbledh të gjitha rezultatet dhe e kthej kokën prapa, vetëm mund të them se jam tejet i lumtur dhe i kënaqur me këto Lojëra. Realisht e kam befasuar edhe veten”.
Ai insiston se pozita e 15-të në kombinimin alpin është më e vlefshmja për të dhe shton se kjo disiplinë nuk është aspak e lehtë.
“Jo vetëm që është rezultati më i mirë që e kam arritur, por gjithashtu është edhe disiplinë që përbëhet nga lëshimi dhe sllallomi. Në fakt, duhet të jesh shumë i mirë në disiplinat e shpejtësisë në njërën anë derisa në anën tjetër të jesh i aftë edhe teknikisht për sllallom. Pra, është një disiplinë shumë e vështirë”, tha Tahiri.
Ai është i kënaqur që në të gjitha garat ka arritur t’i përfundojë dhe ka marrë rezultate të mira, të cilat pranon se nuk i ka pritur as vetë. Tahiri insiston se kjo Olimpiadë ishte shumë më e suksesshme për të sesa ajo që u mbajt para katër vjetësh në Pyeongchang, në të cilën Kosova u paraqit për herë të parë.
“Sigurisht se këto ishin për mua Lojërat më të suksesshme sesa ato para katër vjetësh, sepse në të gjitha disiplinat ku garova në Pekin kam arritur rezultate më të mira se në PyeongChang. I kam dashur këto rezultate, por sinqerisht nuk kam besuar se do të mund t’i arrij. Kështu që, lirisht mund të them se e kam befasuar veten pa pikë dyshimi në këto Lojëra”, ka thënë Tahiri.
Tahiri jeton në Slloveni, ndërsa që nga 12 dhjetori i vitit 2009 e përfaqëson Kosovën. Stërvitjet dhe garat i zhvillon në shtete të ndryshme të Evropës, por ai kurrë nuk ka garuar në shtigjet e Kosovës. Ai me profesion është dentist. Por, thotë se është ende herët t’i përkushtohet maksimalisht profesionit të tij. Pret që këtë ta bëjë pas Lojërave Olimpike të vitit 2026 që mbahen në Milano. Tahiri thotë se në Pekin para se të bënte lëshimin e tij kishte analizuar mirë garuesit e tjerë.
“Unë gjithmonë i shikoj garuesit para meje dhe në këtë mënyrë e vlerësoj se si është shtegu. Nëse e shoh që shumica gabojnë, atëherë mundohem të bëj lëshim më të mençur për shkak se në fund nuk ka vlerë nëse nuk arrin ta përfundosh garën. Kështu që, për mua është sukses i madh që i kam përfunduar të gjitha garat me gjithë që shumë garues kanë dështuar”, ka thënë Tahiri.