Kanë mbetur edhe disa gjëra të vogla për t’u finalizuar punët në palestrën e Istogut, që nisi të ndërtohej plot 16 vjet më parë. Pritjes së gjatë për hapjen e palestrës, ndërtimi i së cilës u përcoll me shumë probleme, po i vjen fundi.
Përurimi i palestrës së qytetit në Istog do të bëhet më 17 tetor me ndeshje ndërkombëtare në mes dy ekipeve të Kosovës, Istogut dhe Vushtrrisë. Është ndeshje kthyese e rrethit të dytë të Kupës Evropiane.
Në fakt hendbollistet e Istogut ende nuk kanë hyrë në palestër për t’u përgatitur. Hyrja në palestër të shtunën nuk i është mundësuar as ekipit të KOHËS, me arsyetimin se ende po zhvillohen punime.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Istogut, Drin Sadikaj, pranon se ka pasur probleme të mëdha për ndërtimin e palestrës. Thotë se ka pasur probleme edhe me tenderime, por që më në fund objekti është afër përfundimit.
Deri në vitin 2016, objekti në ndërtim ka qenë nën menaxhim dhe financim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por nga viti 2016, sipas Sadikajt, ka kaluar në menaxhim të Komunës së Istogut, derisa pjesën e financave e ka për detyrim MKRS-ja.
“Punët në palestër janë në përfundim. Palestra do të ketë afër 2,000 ulëse dhe ajo do të jetë në shfrytëzim për të gjitha klubet e sporteve të ndryshme në komunën tonë. Për momentin i kemi vetëm hendbollin, basketbollin, karatenë dhe pingpongun. Nuk i kemi volejbollin dhe futsallin, por që kam informata se shpejt do të përfaqësohemi edhe nga këto sporte”, ka thënë Sadiku të dielën për KOHËN.
Palestra tashmë është pranuar edhe për ndeshje evropiane nga Federata Evropiane e Hendbollit (FHK).
Trajneri i skuadrës së Istogut, Faruk Shala, shpreson që me ekipin e tij ta nisin me sukses aventurën e re në garat evropiane. Istogu për herë të katërt luan në kupa evropiane.