Altin Gjokaj e vlerëson hap të rëndësishëm kalimin te Prishtina. Thotë se për momentin është hapi më i madh në karrierë.
Portieri i talentuar thekson se transferimi te skuadra prishtinase është vazhdim i ngritjes. Ai shpreson që në një të ardhme të afërt të kalojë në ndonjë skuadër evropiane e po ashtu të bëhet pjesë e përfaqësueses A të Kosovës.
“Është një hap të cilin e kam pritur pas paraqitjeve që kam pasur me Kosovën dhe klubin e Drenicës. Besoj se nga Prishtina do të transferohem diku jashtë vendit për t’ua shpërblyer besimin që ma kanë dhënë drejtuesit dhe trajnerët e portierëve”, ka thënë Gjokaj për KOHËN.
Portieri 18-vjeçar u prezantua të mërkurën te Prishtina, klub me të cilin ka nënshkruar kontratë trevjeçare. Gjokaj së fundi ka luajtur te skuadra e Drenicës që garon në Ligën e Parë. Karrierë ka bërë edhe te skuadra e Besës së Pejës.
Portieri nga Skenderaj bëri debutimin në Superligë me fanellën e Drenicës, me vetëm 16 vjet. Paraqitja debutuese ishte vlerësuar lartë.
“Kalimi te Prishtina është shumë hap i rëndësishëm në karrierën time. Të kalosh te Prishtina është nder dhe krenari. Pres të paraqitem siç është më së miri te klubi më i madh në Kosovë. Synojmë t’i realizojmë së bashku objektivat e klubit dhe t’i gëzojmë ‘Plisat’. Jam i hapur për konkurrencë. Kam ardhur t’i tregoj vlerat e mia dhe të tregoj tërë potencialin. I falënderoj drejtuesit e klubit të Prishtinës që më dhanë mundësinë të veshi fanellën e klubit më të madh në vend. Do të stërvitem fort, ashtu siç kam bërë edhe në të kaluarën. Jam shumë i lumtur për mundësinë, të cilën pres ta shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Gjokaj.
Portieri Gjokaj është pjesë e Shpresave të Kosovës, ndërsa më herët ka luajtur edhe për grupmoshat e tjera të Kosovës. Për Kosovën U21 ka luajtur katër ndeshje, kurse tri paraqitje i ka për Kosovën U18. Shtatë ndeshje i ka luajtur për U17 të Kosovës dhe tri ndeshje për grupmoshën U15.
“Momenti më i mirë në karrierë ka qenë debutimi me Kosovën U21 ndaj Bullgarisë në Sofje në tetor”, ka theksuar Gjokaj
Tani synon të paraqitet edhe për Kosovën A.
“Jam i kënaqur deri në një masë me karrierën time. I kam arritur shumicën e gjërave që kam dashur dhe besoj që edhe ato që më kanë mbetur t’i arrij. Premtoj punë dhe angazhim për t’i arritur synimet tjera. Synoj të paraqitem me Kosovën A dhe të luaj në Evropë në një të ardhme shumë të afërt. Besoj se mund t’ia dalë me punë dhe disiplinë”, ka thënë Gjokaj.
Portierë te Prishtina janë Ardit Nika e Agron Kolaj. Tani Gjokaj do të jetë konkurrent i fortë i tyre.