Sport

Nëntë lojtarë titullarë të Vushtrrisë agjëruan në fitoren më të madhe të sezonit

Shumë futbollistë titullarë të skuadrës së Vushtrrisë ishin duke agjëruar derisa shfaqën 90 minutat më të mira në edicionin aktual.

Gjatë muajit të Ramazanit agjëruesit nuk hanë dhe nuk pinë nga lindja deri në perëndimin e diellit.

Lojtarët e drejtuar nga trajneri Ilir Izmaku freskoheshin herë pas here duke larë fytyrën me ujë, kurse në fushën e lojës shfaqën forcë e freski. Vushtrriasit fituan 3:1 përballë Dukagjinit, ndërsa ky trepikësh u vlerësua si më i miri deri tani në këtë sezon.

Vushtrria fitoi në kuadër të xhiros së 25-të në Ligën e Parë – Grupi A dhe iu afrua zonës së sigurisë në dy pikë. 20 pikë ka Vushtrria në vendin e fundit, dy më pak se Drenasi.

“Vetëm portieri Erdin Bajrami dhe qendërmbrojtësi nga Gana, Ogoe Theophilus, nuk kanë qenë duke agjëruar, të gjithë të tjerët po. Prej se ka nisur Ramazani, në të gjitha ndeshjet kemi qenë me agjërim”, ka thënë shënuesi i golit të barazimit, Taulant Avdyli. “Ka qenë loja më e mirë që e kemi luajtur. Ne në çdo ndeshje hyjmë duke dhënë më të mirën dhe vazhdojmë ta japim më të mirën deri në fund të sezonit”, ka përfunduar Avdyli, që iu bashkuar ekipit vushtrrias në gusht të vitit të kaluar.

Fitore të një rëndësie të veçantë e ka vlerësuar trajneri i ekipit të Vushtrrisë, Ilir Izmaku. Por Izmaku thotë se kundër Istogut do të jetë ndeshje edhe më e rëndësishme. Izmaku tregoi se edhe ai është duke agjëruar.

“Ishte e vështirë, por lojtarët dhanë më shumë se maksimumin dhe ia dolën të fitojnë me plot meritë. Mendoj që ndeshja me Istogun do të jetë vendimtare, por shpresoj që në fund do të sigurojmë mbijetesën. Këto dy ndeshjet e fundit janë më shumë se finale për ne. Me angazhim do t’ia dalim”, ka thënë ish-futbollisti i Trepçës ’89 e i Vushtrrisë.

Drilon Fazliu shënoi golin e epërsisë për skuadrën vushtrriase. Ishte goli i gjashtë për të në kampionat. Vitin e kaluar në Superligë kishte shënuar shtatë gola dhe ishte prej lojtarëve më të kërkuar.

“Po, është e vërtetë që kemi qenë duke agjëruar. Por ia arritëm që ta mposhtim Dukagjinin. Loja ka qenë shumë e vështirë duke e ditur se Dukagjini ka ekip shumë të mirë. Me fitoren që e arritëm ndaj kësaj skuadre, besoj që gjasat janë shumë të mëdha që të mbesim në Ligën e Parë”, theksoi Fazliu.

Skuadra e Vushtrrisë në edicionin e kaluar përfundoi në vendin e parafundit në elitën e futbollit kosovar.

Viteve të fundit është larg edicionit të lavdishëm.

Llamkos Kosova në atë kohë u shpall kampione në edicionin 2013/14. Pjesë e atij ekipi ishte edhe Milot Rashica që luan me Werder Bremenin.