Sport

Në Botërorin e Katarit tifozet shmangin shqetësimet për kodin e veshjes

E ardhur nga Brazili për Kupën e Botës në Katar, Daniela Crawford kishte qenë e shqetësuar për kodet konservatore të veshjes në vendin e Lindjes së Mesme. Por si shumë gra që ndoqën turneun, ajo tha se nuk hasi probleme në këtë aspekt.

“Në Brazil njerëzit janë mësuar me të, por ne erdhëm këtu dhe vendosëm të tregojmë se si jemi”, tha Crawford, e veshur me pantallona të shkurtra, ndërsa bëri fotografi me një flamur brazilian me burrin dhe dy djemtë e saj jashtë stadiumit të Dohas.

Ky është Botërori i parë i mbajtur në një vend arab dhe mysliman. Qeveria e Katarit, organi botëror i futbollit, FIFA, dhe qeveritë e vendeve pjesëmarrëse këshilluan njerëzit që merrnin pjesë nga e gjithë bota që të respektonin zakonet lokale duke nisur nga veshja e grave e deri te pijet.

Shumë tifoze thanë se pavarësisht shqetësimeve, ato nuk kanë hasur probleme dhe vetëm duhet të bëjnë rregullime të vogla në mënyrën se si vishen. Disa mirëpritën kufizimet e rrepta të Katarit për alkoolin, duke thënë se kjo i bën ata të ndihen më të sigurt. Ndërkohë, Katari po e paraqet turneun si një mundësi për të kapërcyer stereotipat për rolin e femrave në vend. Katari është një vend konservator dhe shumica e grave të Katarit në publik mbajnë shaminë e kokës dhe rroba të lirshme. Por është gjithashtu shtëpia e një popullsie ndërkombëtare prej më shumë se 2 milionë punëtorësh të huaj, që tejkalojnë numrin e rreth 300,000 qytetarëve.

Bemie Ragay, një grua filipinase që ka punuar në Katar për tetë vjet, tha se ajo është ndjerë gjithmonë e sigurt, “më e sigurt se në vendin tim”. Veshja nuk është problem përderisa i dini kufijtë, tha ajo. Ragay foli derisa mbante veshur një bluzë.

“Nuk mund të ecësh këtu në rrugë me një veshje pa shpinën e mbuluar. Duhet të respektosh kulturën e vendit”, tha ajo.

Isabeli Monteiro, një tifoze 32-vjeçare e Brazilit, tha se kishte veshur funde më të gjata në vend të pantallonave të shkurtra dhe nuk kishte pasur vështirësi.

“Askush nuk na shikon në asnjë mënyrë, veçanërisht sepse jemi në një Kupë Bote me kultura të ndryshme nga e gjithë bota”, shtoi ajo.

Gratë luajtën një rol integral në organizimin e Kupës së Botës, duke përfshirë disa në pozita të larta në Komitetin Suprem, organi përgjegjës për turneun, tha Fatma Al Nuaimi, zëdhënësja e turneut të Katarit.

Ajo tha se shpresonte se trashëgimi e turneut do të ishte edhe ndryshimi i qëndrimeve për gratë në rajon.

“Shumë njerëz në fakt kanë një perceptim të gabuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për rolin e grave në Katar ose në rajon”, tha ajo.

Tifozët që vijnë në Katar shohin se “gratë kanë të drejta dhe gratë në fakt po fuqizohen”, tha Al Nuaimi.

Katari ka thënë se përmirësimi i situatës së grave në vendin e vogël të Gjirit është një nga prioritetet. Gratë mbajnë një sërë postesh të rëndësishme qeveritare dhe akademike, duke përfshirë tri ministre në kabinetin qeveritar.

Mead El-Amadi, drejtoreshë e Festivalit të Fansave të FIFA-s në Doha, tha se gratë e përfshira në organizimin e turneut do të jenë modele për gratë e tjera që duan të shkojnë në biznesin e futbollit ose sportit në përgjithësi.

“Futbolli në nivel global është një sport i dominuar nga meshkujt”, tha ajo.

Por El-Amadi tha se organizatoret kishin mbështetjen e kolegëve të tyre “për ta bërë këtë të ndodhë dhe për ta bërë botën të shikojë te ne, duke e ofruar këtë ngjarje të madhe”.