Sport

Miratohet udhëzimi i shumëpritur, por me ndryshime të mëdha

Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lëshoi draft-udhëzimin administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit dhe licencimit të federatave dhe organizatave sportive.

Drafti u lëshua më 10 mars për konsultim dhe u premtua se do të miratohet shpejt. Por vetëm të enjten u publikua Udhëzimi Administrativ nga MKRS-ja, që tashmë është në fuqi.

Në dokumentin e miratuar ka ndryshime në krahasim me draftin.

Në një pikë të draft-udhëzimit thuhet se “asnjë federatë nuk do të themelohet dhe as licencohet apo rilicencohet në rastet kur në organet drejtuese të tyre përgjegjësitë i ushtrojnë personat e dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se tre muajsh burgim”.

Një pikë tjetër është më e qartë.

e njëjtë sikurse në paragrafin gjashtë (6) do të zbatohet në rastet kur federatat sportive në organet e tyre drejtuese të përcaktuara me statut, lejojnë që përgjegjësitë drejtuese t’i ushtrojnë personat e akuzuar për vepra penale të dënueshme prej së paku një vit burgim. Personat e akuzuar për vepra penale, sikurse në këtë paragraf, duhet ta pezullojnë aktivitetin e tyre deri në përfundimin e procedurës penale ndaj tyre”, thuhet në pikën 7 të nenit 6 të draft-udhëzimit.

Publikimi i draftit nga KOHA kishte bërë bujë. Kjo pasi kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, akuzohet për një vepër që nuk ka të bëjë me sport. Rasti tij është kthyer në rigjykim, që ka dështuar të nisë dy herë. Seanca e radhës është caktuar më 7 shtator të këtij viti.

Në të kaluarën ka pasur raste kur drejtues të federatave kanë pasur probleme me ligjin. Madje edhe janë dënuar. Por ata kanë mbajtur pozitat e tyre.

Udhëzimi administrativ për licencimin dhe rilicencimin e federatave, i miratuar të enjten, parasheh të mos ketë persona të dënuar në organet drejtuese, por me një ndryshim nga drafti. Në nenin ku paraqiten kriteret që duhet përmbushur për t’iu dhënë apo vazhduar licenca federatave thuhet se “pavarësisht nga paragrafi i mësipërm, asnjë federatë nuk do të licencohet në rastet kur në organet drejtuese të tyre përgjegjësitë i ushtrojnë personat e dënuar me vendim të formës së prerë në ndonjë nga veprat penale të përcaktuara në kapitullin XXXIII të Kodit Penal të cilat ndërlidhen me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”.

Në pikat pasuese thuhet se “federatave/organizatave sportive iu pushon vlefshmëria e licencës në rastet kur konstatohet se personat që janë bartës të funksioneve në organet drejtuese, janë gjithashtu anëtarë të subjekteve të cilat merren me organizimin e basteve sportive së paku në tre vjetët e fundit”.

Pra, dokumenti i miratuar ka ndryshime rrënjësore me draftin.

KOHA ka mësuar se MKRS-ja nuk ua ka vazhduar deri në korrik të këtij viti licencën vetëm Federatës së Notit të Kosovës dhe asaj të Taekwondos. Federata e Notit dhe ajo e Taekwondos kanë probleme të brendshme.

“Është miratuar një udhëzim administrativ tejet i rëndësishëm për sportin. Një akt që përcakton kushtet, kriteret, procedurat e aplikimit, si dhe organet kompetente për themelimin dhe organizimin e procesit të licencimit të federatave sportive nga ministria përkatëse për sport, duke respektuar strukturën, të drejtat dhe obligimet që janë përcaktuar me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, për rregullimin e veprimtarisë sportive në Republikën e Kosovës. Përmes këtij udhëzimi administrativ rregullohet edhe procedura e veçantë e rivlerësimit të licencimit, pezullimit apo revokimit të parakohshëm të licencës, si dhe e drejta në ushtrimin e mjeteve juridike në rastet e parashikuara me këtë udhëzim administrativ”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.