Sport

Messi gati për ndeshjen e parë me Parisin pas triumfit në Botëror

Lionel Messi pritet të bëjë paraqitjen e parë te Paris Saint-Germaini që nga triumfi me Përfaqësuesen e Argjentinës në kupën e botës “Katari 2022”.

Messi pritet të aktivizohet në ndeshjen kampionale kundër Angersit, që luhet të mërkurën prej orës 21:00. Ndërkohë krerët e Parisit po përpiqen ta bindin argjentinasin për ta rinovuar kontratën që i skadon në fund të këtij edicioni.

35-vjeçari mori pjesë në seancën stërvitore të së martës me pjesën tjetër të ekipit, pak më shumë se tri javë pasi e udhëhoqi Argjentinën drejt fitores ndaj Francës me penallti në finalen madhështore të Botërorit në Katar. Pas atij suksesi, Messit iu dhanë dy javë shtesë pushim nga klubi për të shkuar në vendlindje, ndërsa Parisit iu bashkua të mërkurën e shkuar, kur u prit nga bashkëlojtarët me gardën e nderit.

Fituesi i shtatë “Topave të Artë”, i cili ka shënuar 12 gola këtë edicion për Parisin në të gjitha garat para Kupës së Botës, nuk mori pjesë fare në fitoren ndaj Chateaurouxit vikendin e shkuar në kuadër të Kupës së Francës. Ai sipas të gjitha gjasave do të jetë titullar te lideri i Ligue 1, që e pret Angersin e fundit në tabelë dhe që ka pësuar humbje në nëntë ndeshjet e fundit. Mënyra se si do ta përfundojë Messi pjesën e dytë të këtij edicioni në Francë, pas suksesit të madh në Katar do të vëzhgohet nga afër duke pasur parasysh se kontratës së tij dyvjeçare po i vjen fundi. Megjithatë, drejtuesit e Parisit tashmë kanë nisur negociatat me Messin, të cilit ia kanë ofruar kontratën e re deri në verën e vitit 2025 dhe trajneri Christoph Galtier është optimist se ylli argjentinas mund ta mbyllë karrierën në kryeqytetin francez. Ai ka insistuar se Messi, i cili iu bashkua PSG-së si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Barcelonën, tashmë është përshtatur shumë mirë në Francë. Galtier ka zbuluar se negociatat mes argjentinasit dhe klubit po vazhdojnë dhe pritet së shpejti të arrihet një marrëveshje përfundimtare, e cila do të jetë e kënaqshme për të dyja palët.

“E di që janë në bisedime të vazhdueshme dhe klubi tashmë i ka ofruar kontratën Leos, por nuk e di se deri në cilën pikë kanë ardhur. Personalisht Leo më duket shumë i lumtur në Paris dhe sikurse klubi edhe ai po ka dëshirë që ta vazhdojë bashkëpunimin”, është shprehur Galtier. “Bazuar në këtë, mendoj se shumë shpejt do të kemi lajme të mira dhe shpresoj që Messi ta mbyllë karrierën me fanellën e Parisit”.

Trajneri Galtier ka treguar se ata që po negociojnë për rinovimin e kontratës me Messin janë këshilltari i klubit, Luis Campos, dhe presidenti i Parisit, Nasser al-Khelaifi. Për dallim prej Messit që do të luajë ndaj Angersit, sulmuesi Kylian Mbappe nuk do të përfshihet për këtë ndeshje pasi javën e shkuar mori një pushim dhe shkoi në New York me mikun e tij, Achraf Hakimi. Shkaku i pushimit, Mbappe mungoi edhe në duelin e kupës franceze. Mungesa të tjera të pritshme për PSG-në në këtë duel janë edhe sulmuesi Neymar e mesfushori Marco Verratti. Të dy futbollistët ende nuk janë rikuperuar plotësisht nga lëndimet që i pësuan javë më parë.