Sport

Makolli, talenti që po rritet te Malmo në Suedi

Një talent kosovar, që vlerësohet shumë, po rritet në futbollin e Suedisë.

Elison Makolli është një prej lojtarëve që vlerësohet me të ardhme të ndritur. Mediat suedeze shkruajnë se ai është në mesin e 22 yjeve që mund të llogarisë Suedia në të ardhmen. Makolli është 16-vjeçar dhe luan vazhdimisht me skuadrat e grupmoshave te Malmo. Thirret vazhdimisht edhe nga ekipet zinxhirë të Suedisë.

Karriera e Elisonit ka nisur në moshën shtatë-vjeçare kur për rreth dy vjet kishte qëndruar te skuadra LB07. Ai tani bën karrierë si mbrojtës, por ka qenë prej sulmuesve më të spikatur në gjeneratat më të reja.

Babai i Elisonit, Bashkimi, thotë se i biri i tij kishte realizuar rreth 300 gola për një vit me të rinjtë e LB07. Paraqitjet e mira kanë bërë që t’i afrohen zyrtarët e Malmo FF dhe pas ngulmimit e bindën t’i bashkohet klubit të madh.

Nga mosha nëntë vjeçare ai po e mëson futbollin te Malmo.

“Sukseset me Malmon janë shumë të mëdha. Kjo është skuadra më e madhe në Suedi dhe kam shumë mundësi që ta fitoj çdo kupë dhe turne. Kemi pasur shumë suksese”, ka thënë Elisoni të dielën për KOHËN.

“Me Malmon U17 kam zhvilluar rreth 20 lojë zyrtare dhe 10 tjera miqësore. Luaj edhe me grupmoshën U19. Katër ndeshje kam luajtur zyrtarisht, por kam qenë i ftuar edhe në miqësore. Kam dëshirë më shumë të luaj si qendërmbrojtës, por mund të luaj edhe në krahun e djathtë. Kur skuadra e Malmos ka nevojë për të sulmuar, edhe aty mund të jap ndihmën time”, thekson Makolli i ri, duke vazhduar tutje se ka kontratë edhe dy vjet me gjigantin suedez të futbollit dhe se po punon shumë për të arritur sa më shumë në futboll.

Babai i Elisonit, Bashkimi, thotë se edhe pas transferimit te Malmo, Elisoni luajti një vit si sulmues dhe ka shënuar rreth 90 gola.

“Ka qenë sulmues shumë i mirë. Edhe unë kam luajtur dikur futboll dhe kam qenë sulmues shumë i mirë. Më ka ngjarë mua”, thotë duke bërë shaka Bashkimi. “U bë më pas ndërrimi i trajnerëve pas një kohe dhe i është ndërruar pozita, nuk e di pse. E kanë provuar si mbrojtës dhe e ka treguar veten e ka vazhduar aty. Nuk ka dashur që ta kundërshtojë trajnerin, por suksesi nuk i ka munguar”.

Elison Makolli është me prejardhje nga Polaci i Skenderajt, por është i lindur në Malmo të Suedisë.

“Për momentin, jam pjesë e Suedisë dhe jam shumë i kënaqur. Mendoj të vazhdoj këtu dhe me paraqitje të mira. Por, unë e dua shumë edhe Kosovën”, ka thënë Elisoni.

Për të riun interesim kanë shprehur skuadra të njohura angleze, italiane e spanjolle.