Ministri në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka thënë se investimet në infrastrukturën sportive do të përfundojnë në vitin 2029, një vit para organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Por, ai në panelin e organizuar nga Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim në Prishtinë (PIRDEV) ka theksuar se sfidë më e madhe për Kosovën mbetet Ligji për Lojërat Mesdhetare.
Ligjit për Lojërat Mesdhetare, i miratuar më 5 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, është kontestuar në Kushtetuese nga Partia Demokratike.
Për t’u hapur rrugë proceseve organizative, sipas Çekut, duhet një vendim i Gjykatës Kushtetuese.
“Besoj që me këtë dinamikë jemi mirë, është një dakordim i brendshëm i të gjithë ne që jemi pjesë qeveri-komunat-Komiteti Olimpik dhe nesër po besoj do të jetë zotim edhe i Komitetit Organizativ që me infrastrukturë sportive ta mbyllim në vitin 2029. Mund të konfirmoj që Lojërat Mesdhetare paraqesin një moment krenarie për të gjithë edhe pse me të gjitha pikëpamjet e kundërta politike ne kemi edhe komunikim të drejtpërdrejtë dhe askush nga ta nuk e sheh këtë si diçka që është për ta prishur. Secili e sheh si një pjesë të një ndjenje të përgjithshme të krenarisë dhe në këtë pikë jemi të gjithë bashkë”, ka thënë Çeku.
Më herët është bërë e ditur se planifikohet të bëhen deri 200 milionë euro investime në infrastrukturë.
Kosovës i duhet edhe një stadium me mbi 20 mijë ulëse për ceremoni hapëse. Stadiumi “Fadil Vokrri”, që është i vetmi aktualisht për shfrytëzim për ndeshje ndërkombëtare, ka kapacitet prej 13 mijë ulëseve. Po rinovohen dhe ndërtohen edhe disa stadiume në Kosovë. Është bërë e ditur se po planifikohet të ndërtohet edhe stadiumi nacional, ku do të mbahet ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Megjithatë, Çeku thotë se ndërtimi i tij nuk është i domosdoshëm të përfundohet para vitit 2030. Ai ka shtuar se vendimi për rëndësinë e tij në këtë fazë do t’i takojë Komitetit Organizativ, në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
“Ky është vetëm propozim për temë të diskutimit në Komitetin Organizativ. Unë po propozoj që të diskutohet a duhet patjetër të jetë ndërtimi i stadiumit nacional i ndërlidhur me nevojat e Lojërave Mesdhetare. Këto që po i bëjmë tani unë e di që janë të domosdoshme edhe për lojërat, edhe për ne, sepse na duhen për ta zhvilluar infrastrukturën, mund t’ia nisim, por nuk e kemi afatin e fundit deri në vitin 2030, por vetëm të fokusohemi ta ndërtojmë mirë, sepse ai do të jetë një gjigant që kërkon shumë financa, që kërkon gjetje të burimeve të financimit dhe kërkon planifikim të mirë”, theksoi Çeku.
Më 8 shtator të vitit 2023, në Heraklion të Greqisë u vendos që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Është kjo ngjarja dukshëm më e madhe sportive që do të organizohet në Kosovë. Punët në infrastrukturë dhe në fusha të tjera vlerësohet se do të jenë të mëdha që Prishtina e Kosova të jenë gati për të pritur mijëra sportistë nga shumë vende rreth Mesdheut.