Khvicha Kvaratskhelias iu nevojitën 37 minuta në debutimin e tij në Serie A, në muajin gusht, për të shënuar golin e parë me fanellën e Napolit.
Atij nuk iu nevojit shumë kohë për të fituar pseudonimin “Kvaradona”, për magjinë e driblimit, që ndihmoi Napolin të krijonte avantazh prej tetë pikësh ndaj kampionit në fuqi, Milanit, përpara pushimit prej shtatë javësh shkaku i Kupës së Botës “Katari 2022”.
Kur liga italiane rifillon të mërkurën me një orar të plotë prej 10 ndeshjesh dhe Napoli viziton Interin në stadiumin “San Siro”, napolitanët e pamposhtur ka të ngjarë të kenë nevojë për një kontribut tjetër të madh nga Kvaratskhelia për të nisur potencialisht vrapimin vendimtar drejt titullit. Napolin e presin pesë ndeshje të rëndësishme që përfshijnë përballjet ndaj Juventusit dhe Romës, si dhe një derbi rajonal me Salernitanën. Nëse Napoli mund të dalë nga kjo seri e ndeshjeve me një epërsi të rehatshme, atëherë klubi nga jugu i Italisë mund të jetë në rrugën drejt titullit të parë në Serie A qëkur ikona Diego Maradona – prej nga vjen pseudonimi për Kvaratskhelian - udhëhoqi ekipin drejt dy titujve të vetëm të ligës italiane në vitet 1987 dhe 1990.
“Titulli i kampionit nuk është obsesioni im, por do të ishte mirë ta përfundojmë sezonin në pozitën e parë në tabelë. Gjatë këtij pushimi ne kemi punuar shumë për të qenë sa më të përgatitur për rifillimin e sezonit. Sigurisht Kvaratskhelia do të jetë një lojtar kyç në derbin ndaj Interit, por nuk do të jetë aspak lehtë sepse përballemi me një top ekip”, ka pranuar trajneri i Napolit, Luciano Spalletti.
Dueli mes Interit dhe Napolit nis në orën 20:45 dhe i takon xhiros së 16-të të Serie A. Napoli aktualisht prin në tabelë me 41 pikë, 11 më shumë se Interi që renditet i pesti.
Në 15 ndeshje të luajtura, Napoli ka 13 fitore e dy barazime. Ndërkohë Interi ka regjistruar dhjetë fitore e pesë humbje.
“Qyteti jeton për futbollin, e adhuron shumë. Të gjithë në Napoli e kuptojnë futbollin. Si lojtar është motivuese kur ke përkrahjen e të gjithë qytetit dhe dashurinë e tij”, pranoi Kvaratskhelia.
Kur Kvaratskhelia shpërtheu në skenën e madhe dhe pothuajse askush në Napoli nuk mund ta shqiptonte emrin e tij, ai shpejt fitoi disa pseudonime. Por pseudonimet “Zizi”, “l'Angelo Azzurro” dhe “Kvaravaggio” u zbehën në krahasim me atë "Kvaradona".
“Ata janë të gjithë shumë të këndshëm, por kur edhe një pjesë e vogël e emrit të Maradonës lidhet me emrin tuaj, është një nder dhe krijon një emocion ndryshe nga të tjerët”, tha Kvaratskhelia. “Kvaradona është pa dyshim i preferuari im dhe do të përpiqem ta ndihmoj ekipin për ta fituar titullin e parë pas një periudhe të gjatë”.
Dueli mes Interit e Napolit do të jetë edhe një “betejë” e nofkave. Interi shpreson të ringjallë sulmin e tij “LuLa” me Romelu Lukakun dhe Lautaro Martinezin, të cilët janë kthyer në ekip pas paraqitjeve krejtësisht të ndryshme në Kupën e Botës “Katari 2022”. Ndërsa Lautaro ndihmoi Argjentinën për ta fituar titullin, Lukaku ishte i joefikas dhe dukej jashtë formës te Belgjika, që u eliminua në fazën e grupeve.
Shumica e lojtarëve kryesorë të Napolit nuk shkuan në Katar, me Gjeorgjinë e Kvaratskhelias dhe Nigerinë e Victor Osimhenit, që nuk arritën të kualifikoheshin. Interi kishte shumë lojtarë në ngjarjen e madhe.
Interi në këtë ndeshje do të jetë pa mesfushorin Marcelo Brozoviq, ndërsa trajneri Simone Inzaghi është shprehur i shqetësuar para përballjes me Napolin. Ai nuk e di se çfarë paraqitjeje mund të ketë ekipi pas një pushimi të stërzgjatur në periudhën e dimrit.
“Kam shumë shqetësime pasi për të gjithë është diçka e re që rifillojmë sezonin pas më shumë se shtatë javësh. Ne kemi punuar shumë, por lojtarët që janë kthyer nga Kupa e Botës nuk janë në gjendjen e njëjtë sikurse të tjerët. Po shpresoj që jemi të gatshëm për duelin me një ekip të madh si Napoli, që është ekipi i vetëm i pamposhtur në Evropë”, ka pranuar Inzaghi. “Më në fund, i kam katër sulmues në dispozicion dhe shpresoj që Lukaku të bëjë një paraqitje të mirë. Ka entuziazëm në ekip, por do të shohim”.
Serie A – 16
E mërkurë
Salernitana – Milan (12:30)
Sassuolo – Sampdoria (12:30)
Spezia – Atalanta (14:30)
Torino – Verona (14:30)
Lecce – Lazio (16:30)
Roma – Bologna (16:30)
Cremonese – Juventus (18:30)
Fiorentina – Monza (18:30)
Inter – Napoli (20:45)
Udinese – Empoli (20:45)
1. Napoli 15 41
2. Milan 15 33
3. Juventus 15 31
4. Lazio 15 30
5. Inter 15 30
6. Atalanta 15 27
7. Roma 15 27
8. Udinese 15 24
9. Torino 15 21
10. Fiorentina 15 19
11. Bologna 15 19
12. Salernitana 15 17
13. Empoli 15 17
14. Monza 15 16
15. Sassuolo 15 16
16. Lecce 15 15
17. Spezia 15 13
18. Cremonese 15 7
19. Sampdoria 15 6
20. Verona 15 5