Lideri i mesfushës së Kosovës, Hekuran Kryeziu, ka thënë për Koha.net se përfaqësuesja është në grupin më të fortë të mundshëm në Ligën C të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Kosova do të luajë në grup me Greqinë, Slloveninë dhe Moldavinë, ndërsa ndeshjet luhen në vjeshtë të këtij viti.
“Nëse flasim për Ligën C, mjafton të themi që kemi kundërshtarë dy përfaqësuese që janë shumë të rëndësishme për futbollin evropian si Greqia dhe Sllovenia. Greqia ishte kampione e Evropës, ndërsa Sllovenia disa herë ka luajtur në kampionate evropiane. Për Ligën C janë kundërshtarë shumë të fortë”, ka thënë Kryeziu për Koha.net.
“Ky edicion i Ligës së Kombeve nuk na jep menjëherë mundësinë për të luajtur në plejof për kampionat botëror. Për këtë duhet të shfrytëzojmë këto ndeshje për të kërkuar jo vetëm rezultate por edhe të marrim sa më shumë përvojë, që të ngrihemi në nivel sa më të lartë si grup”, ka shtuar Kryeziu.
Ai i ka munguar Kosovës kohë të gjatë, ndërsa pritet të kthehet në fund të muajit për plejofin e Euro 2020. Kosova luan ndaj Maqedonisë Veriore më 26 mars në Shkup.