Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është zhvendosur në Kompleksin e Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali për fazën finale të stërvitjeve në prag të ndeshjeve kualifikuese për botërorin “Katari 2022”.
Edhe në ditën e tretë të grumbullimit, “Dardanëve” në ushtrime i munguan sulmuesi i Legias së Varshavës, Lirim Kastrati, si dhe ai i Ipwsich Townit, Bersant Celina.
Kastrati ka një lëndim që e vë në dyshim për duelin kundër Suedisë, kurse Celina do t‘i bashkohet grupit të mërkurën gjatë ditës. Por, edhe pse me dy lojtarë më pak në grumbullim, stërvitja e së mërkurës nisi dhe përfundoi me përkushtim dhe punë të madhe nga 22 futbollistët e tjerë të përfaqësueses në futboll.
Si futbollistët ashtu edhe përzgjedhësi Bernard Challandes edhe në ditën e tretë të stërvitjeve ishin me humor të mirë. Pak flitej e më shumë kishte punë në fushën kryesore të Kompleksit të FFK-së. Pas ngrohjes së muskujve, futbollistët u mblodhën në mes të fushës për të dëgjuar disa instruksione të përzgjedhësit Challandes.
Pas përfundimit të fjalimit, futbollistët dëgjonin me vëmendje ndihmësit e Challandesit për t’i realizuar me sukses detyrat që u ishin dhënë. Nisi me punë në koordinim, ndërsa vazhdoi me vrapime të shkurtra me temp të lartë. Vetëm pasi përfundoi e gjithë pjesa e parë u shfrytëzuan portat e vogla të vendosura në mes të fushës.
Në Hajvali, “Dardanët” do ta zhvillojnë edhe stërvitjen e fundit të enjten para se të marrin rrugë për në Solna, ku të shtunën do ta zhvillojnë kundër Suedisë ndeshjen e parë të këtij muaji. Të martën luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Gjeorgjisë. Që të dyja ndeshjet janë të rëndësishme për kualifikim në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Kosova është në Grupin B kualifikues dhe renditet në vendin e katërt me katër pikë. Prin Spanja me 13 pikë, katër më shumë se Suedia në vendin e dytë. Në vendin e tretë është Greqia me gjashtë pikë, ndërsa Gjeorgjia në vendin e fundit ka një pikë.