Vetëm njëmbëdhjetë lojtarë ishin të pranishëm në stërvitjen e parë të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, që ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e para kualifikuese të “Euro 2024”. Një pjesë e lojtarëve kanë qëndruar në hotel, ndërsa disa të tjerë do të bashkohen më vonë në grumbullim për ciklin e ri kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm.
Kosova të hënën pasdite në kampin nacional në Hajvali zhvilloi stërvitjen e parë për dy ndeshjet e këtij muaji. Ndeshjen e parë “Dardanët” do ta zhvillojnë në Tel- Aviv të Izraelit të shtunën, kurse të dytën më 28 mars në Prishtinë ndaj Andorrës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdër lojtarët e ekipit bazë të Kosovës, në stërvitjen e parë munguan portieri Arijanet Muriq, kapiteni Amir Rrahmani, mbrojtësi Mërgim Vojvoda e sulmuesi Vedat Muriqi. Në fakt, disa lojtarë mungojnë shkaku i ndeshjeve që i kanë pasur në fundjavë me klubet e tyre, ndërsa një pjesë shkaku i udhëtimit nga vendet e ndryshme të Evropës.
Mesfushori Valon Berisha i kthyer në ekip udhëton nga Australia, ku është pjesë e ekipit Melbourne City. Pas një kohe është kthyer edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paqarada, që po ashtu nuk ishte në stërvitjen e parë. Në stërvitje kanë qenë të pranishëm lojtarët që nuk kanë pasur minutazhë në klubet e tyre apo që nuk kanë pasur ndeshje të dielën.
Por edhe ata që ishin të pranishëm patën një stërvitje të lehtë nën urdhrat e selektorit Alain Giresse. Ajo që ra në sy ishte uniforma e re për stërvitje e Kosovës. Kosova, në fakt, do të paraqitet me fanella të reja në ciklin kualifikues për “Euro 2024”. Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, i ndau lojtarët në dy grupe.
Një grup bëri vrapim të lehtë përreth fushës, ndërsa pjesa tjetër punonte në mënyra të ndryshme, por pa ndonjë ngarkesë. Portieri Samir Ujkani punoi i vetëm në fillim të stërvitjes, ndonëse i pranishëm ishte edhe Visar Bekaj. Sulmuesi i krahut, Elbasan Rashani, për shkak të lëndimit nuk do të grumbullohet për këto dy ndeshje, derisa në vend të Uran Bislimit, që ka refuzuar të jetë pjesë e Kosovës, është ftuar Blendi Idrizi.
Ndërkohë, në dyshim mbetet edhe Arbnor Muja që ka një shqetësim. Për herë të parë në Përfaqësuese është ftuar edhe sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani. Rrahmani këtë sezon ka treguar një formë të lartë, pasi ka shënuar 14 gola në 23 ndeshje të luajtura në Superligën e Kosovës.
Kosova është pjesë e grupit I së bashku me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë, Rumaninë dhe Andorrën. Kosova synon kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Giresse.