Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova humb me rezultat të ngushtë nga Finlanda

ks

Hendbollistet e Kosovës e kanë humbur edhe ndeshjen e tretë kualifikuese të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2026. 

Kosova të enjten mbrëma humbi nga Finlanda në Vantaa me dy gola dallim, 23:21.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pjesa e parë përfundoi 14:10 në të mirë finlandezeve, ndonëse “Dardanet” e nisën mirë ndeshjen.

Kishin epërsi 4:3 pas nëntë minutash lojë.  Prej minutës së 22-të nisi shkëputja e finlandeze në rezultat. Kosova u afrua në dy gola tetë minuta para fundit. Por pa arritur të barazoj apo të kaloj në epërsi.

“Kombëtarja e Kosovës ka luajtur ndeshje të fortë e të barabartë me Finlandën, të enjten mbrëma në Vantaa. Megjithatë paraqitja e mirë nuk u shpërblye me pikë. Finlanda fitoi me dy gola dallim, 23:21. Ndeshja ishte e hapur deri në aksionin e fundit. Ndeshje tjetër e rëndësishme me Finlandën na pret të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë”, shkruan Federata e Hendbollit e Kosovës.

Kosova luajti me shumë lojtare të reja. Shumë prej lojtareve që kanë udhëhequr ngritjen e përfaqësueses në nivel serioz evropian, nuk po luajnë më për Kosovën. Leonora Demaj, Marigona Hajdari, Arlinda Hajdari, Fitore Aliu, Albina Rugova nuk po luajnë më. Mirela Gjikokaj vazhdon të luajë, por jo për Kosovën.

Për Kosovën ishte humbja e tretë pas disfatave të thella nga Franca dhe Kroacia në tetor të vitit të kaluar.

Kosova nga Franca humbi 43:12 në udhëtim, kurse nga kroatet në shtëpi pësoi disfatë 32:22.

Ndeshja e dytë ndaj Finlandës është të dielën, më 8 mars, nga ora 17:15 në Prishtinë.

Kosova është e fundit pa pikë. Franca është liderë me gjashtë pikë, kurse Kroacia ka katër pikë. Finlanda është e treta me dy pikë.

Deri në fund të ciklit kualifikues, Kosova i ka edhe tri ndeshje. Pas Finlandës, më 9 prill e pret Francën, kurse ndeshjen e fundit e luan më 12 prill ndaj Kroacisë në udhëtim.

Dy të parët në grup kualifikohen në Evropian. Kualifikohen edhe katër përfaqësueset më të mira te vendit të tretë prej gjashtë grupeve sa janë gjithsej. Përmes vendit të tretë Kosova e kërkon rastin, ndonëse gjasat nuk janë të mëdha.