Sport

Kosova fiton një të artë dhe një të bronztë në Kampionatin Ballkanik U-20

Kampioni i Kosovës në hedhjen e gjyles, Muhamet Ramadani, e ka përfaqësuar edhe një herë denjësisht Kosovën në gara jashtë vendit. Atleti i klubit Mitrovica e fitoi të shtunën medaljen e artë në atletikë në Kampionatin Ballkanik U20 në Turqi. Medalje fitoi edhe atleti i klubit Trepça, Alaudin Suma. Suma e fitoi të dielën medaljen e bronztë në hedhje të diskut, për ta mbyllur suksesshëm pjesëmarrjen në garën në Turqi.

Vetëm Ramadani e Suma arritën të ktheheshin në Kosovë me medalje nga Stambolli i Turqisë, aty ku u zhvillua Kampionati Ballkanik U20 në atletikë.

Përveç tyre, Kosova u përfaqësua edhe nga dhjetë atletë të tjerë, të cilët garuan në vrapime të distancave të shkurta dhe të gjata.

Për Ramadanin është përsëritje e suksesit të arritur në fillim të këtij viti.

Po në Stamboll ishte shpallur kampion në hedhjen e gjyles 6 kilogramë. Kësaj radhe Ramadani, gjylen e rëndë 6 kilogramë e hodhi në distancë prej 18 metrave e 85 centimetrave.

“Është medalja e pestë, ku katër prej tyre janë të arta e një e bronztë. Rezultati ka qenë i mirë, por ka mundur të jetë edhe më i mirë”, ka thënë Ramdani për KOHËN.

Ai shtoi se kjo nuk ka qenë më e mira e cila mund të japë ai nga vetja. Thotë se pandemia ka ndikuar që niveli i përgatitjeve të mos jetë prej më të mirave.

“Pandemia ka ndikuar shumë në nivelin e përgatitjes. Nuk kemi mundur të stërvitemi shumë, por tani shpresoj të përgatitem për garat e ardhshme”, nënvizoi Ramadani.

Ramadani ka arritur të jetë kampion i shumëfishtë i Kosovës në disiplinën e vet, në hedhje të gjyles.

Por shton se ka synime edhe më të mëdha në karrierë.

“Natyrisht se unë mund të arrij edhe më shumë suksese dhe se nuk do të ndalem së punuari për ta arritur një gjë të tillë. Synimet tani për vitin 2021 janë të arrij suksese në të dyja kampionatet ballkanike. Do të kemi edhe një evropian dhe një botëror”, përfundoi Ramadani.

Medaljen e parë në një kampionat ballkanik për të rinj e ka arritur edhe Alaudin Suma. Suma e fitoi medaljen e bronztë dhe ka thënë se ka pasur pritshmëri edhe më të mëdha për këtë garë. Ka qenë medalja e parë dhe e vetme në kampionate ndërkombëtare.

“Ka qenë medalja e parë në Kampionatin Ballkanik, por pritshmëria ka qenë shumë e madhe. Përgatitja ime ka qenë në nivel, por ka ndikuar shumë pandemia. Kam mundur ndoshta edhe më shumë të arrij, një medalje të artë apo të argjendtë”, përfundoi Suma.

Hedhjen e diskut, Suma e pati me largësi 49 metra e 83 centimetra.

Ramadani dhe Suma vlerësohen shpresë e madhe e sportit të atletikës. Madje Ramadani në Lojërat Olimpike Evropiane për të Rinj në Baku, e pati fituar medaljen e artë.