Istogu vjet e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës në hendboll. Po ashtu e kaloi një kundërshtar në Kupën Evropiane për hendbolliste. Ishte klubi i vetëm i sportisteve në vend që kaloi kundërshtar evropian. Rrjedhimit KOHA e shpalli klubin më të mirë të vitit në konkurrencë të femrave.
Por Istogu nuk luajti në fundjavë në xhiron e parë të stinorit pranveror në Superligën e hendbollisteve. Dhe ndeshjen në udhëtim ndaj Prishtinës e humb me rezultat zyrtar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nuk kemi luajtur pasi nuk kemi pasur ku të ushtrojmë që nga tetori i vitit të kaluar”, thotë trajneri i KHF Istogut, Faruk Shala.
Qyteti i Istogut e ka një palestër. Ajo megjithatë ishte ndërtuar keq, kurse ndërtimi kishte zgjatur mbi një dekadë e gjysmë. Shumë e quajtën “palestër të turpit”. U hap pa u përfunduar në tërësi. Mungoi mirëmbajtja e denjë dhe u dëmtua shumë shpejt. E hapur qëndroi vetëm tri vjet. Është mbyllur për tjetër renovim dhe që nga viti 2023 nuk është në dispozicion të sportistëve. Përfundimi i renovimit nuk është as afër. Madje më nuk ka as premtime se do të rinovohet. Palestrës i është vënë kulmi që ishte dëmtuar rëndë, por brenda nuk është prekur asgjë.
Pasi u mbyll palestra, Istogu ka ushtruar e ka luajtur si vendas në një palestër private në Banjë. Por edhe atë e mori uji në tetor të vitit të kaluar. Dhe tani istogaset, që kanë dominuar në hendbollin kosovar në dekadën e fundit, nuk kanë ku të ushtrojnë e ku të luajnë si vendase.
“Jemi duke e shqyrtuar edhe largimin nga garat. Për 23 vjet e kemi shtyrë me gjoks, por askush nuk po brengoset për gjendjen tonë. Është mëkat që një klub që dominon në vend dhe që ka suksese edhe në Evropë të lihet në këtë gjendje. Por duket që të vetmit që brengosemi jemi ne pak personat që kemi mbetur në klub”, ka shtuar trajneri Shala.
Ai tregon që klubi ka investuar që të përshtatet palestra private dhe të bëhet e pranueshme për zhvillimin e ndeshjeve kampionale e madje edhe atyre evropiane.
Shala thotë se nuk po gjen përkrahje në nivelin komunal, e aq më pak në atë qëndror. Sanimi i palestrës private kërkon disa mijëra euro, që klubi i Istogut nuk i ka. Për kthim në shtëpinë e tij, në palestrën e qytetit, Istogu as që po shpreson për të ardhmen e afërt. Shala thotë se renovimi i palestrës së qytetit as nuk është paraparë në buxhet për vitin 2026.
Premtimet për renovimin e palestrës në Istog ishin të shumta. Madje ishin dhënë edhe afate, që natyrisht janë shkelur. Përgjegjësinë për ndërtimin e keq të palestrës, si për të gjitha objektet tjera sportive, nuk e mori askush. Nuk u bë ndonjë hetim, nuk dha kush përgjegjësi. Dhe palestra “e re” u mbyll pas tri vjetësh. Kjo nuk brengosi përgjegjësit. Brengosi vetëm klubet e Istogut dhe sportistët istogas.