Italia është bërë epiqendra e koronavirusit në Evropë. Qeveria e vendit më të goditur nga koronavirusi tashmë ka marrë vendim që deri në muajin e ardhshëm, saktësisht më datën 3 prill, t’i pezullojë edhe aktivitetet sportive.
Në mesin e sportistëve që bëjnë karrierë në klubet elitare të Italisë janë edhe dy futbollistët e përfaqësueses së Kosovë, Samir Ujkani, që është pjesë e Torinos dhe qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, që aktivizohet te Verona.
Portieri Ujkani, kapiteni Rrahmani dhe të gjithë banorët e Italisë janë të izoluar. Ujkani ka treguar se lëvizja e vetme e tij është shtëpi-stërvitje dhe anasjelltas prejse koronavirusi është përhapur në Itali. .
“Jemi mbyllur në shtëpi. Në stërvitje po shkojmë, por me program të detajuar. Nga shtëpia dal me veturë për në stërvitje. Kjo është lëvizja e lejuar për momentin. Para se të hyjmë në qendrën stërvitore dezinfektohemi”, ka thënë të mërkurën Ujkani për “Kohën Ditore”.
Në fakt, Italia është shteti më i prekur në Evropë nga koronavirusi, me mbi dhjetë mijë të infektuar dhe më shumë se 600 të vdekur, numri i të cilëve po shtohet për çdo ditë.
Ujkani e pranon se ai dhe të tjerët në Itali janë të frikësuar. Ai tregon se edhe stërvitjet nuk kanë rrjedhë normale.
“I kemi të ndara katër dhoma të zhveshjeve dhe për t’u bërë gati ndahemi nga pesë lojtarë. Klubi është organizuar jashtëzakonisht mirë, por problemi është se çka të bëjmë jashtë qendrës sportive. Është gjendje e jashtëzakonshme, nuk është se jemi të përqendruar 100 për qind në futboll. Nuk është aspak e lehtë të qëndrosh me familje në këtë situatë alarmante. Por, ne jemi profesionist dhe duhet të sillemi si të tillë edhe pse nuk e kemi të lehtë”, është shprehur ai.
Ai tregon se gjatë stërvitjes e ka të ndaluar të flasë apo edhe të ketë ndonjë kontakt me bashkëlojtarët, rregull për të gjithë në klub. Stërviten vetëm sa për ta mbajtur formën, por pa pasur ndonjë kontakt ndërmjet vete...(gjerësisht në Kohën Ditore)