Sport

Janjeva, sulmuesi i shndërruar në qendërmbrojtës

Andi Janjeva ka qenë sulmues në fillimet e karrierës së tij si futbollist. Madje, gjatësia e tij ia ka lejuar gjithmonë që të realizojë gola të lehtë dhe të shumtë. Asnjëherë nuk e ka menduar se roli i tij në fushë prej golashënuesi të rrezikshëm do të merrte një kthesë tejet të madhe. Tash, vlerësohet si njëri prej mbrojtësve më premtues te skuadra e Watfordit në Angli. Historia e Andit është mjaft interesante dhe këtë e pranon edhe vetë futbollisti i ri.

“Ka qenë një organizim i një turneu me ekipet si, Chelsea, Fulham e shumë të tjera që janë në regjionin tonë. Një skaut kishte ardhur për t’i përcjellë lojtarët që t’i dërgonte në akademinë e Watfordit. Luajta shumë mirë. Në atë moshë kam qenë sulmues dhe kam shënuar gola vazhdimisht. Përfundoi turneu dhe mu afrua ai person dhe më tha eja në Watford, në qendrën e zhvillimit. Do të kesh ushtrime tri herë në javë më tha, me grupmoshën U8”, nis rrëfimin talenti prishtinas.

Andi është vetëm 17-vjeçar dhe u lind në Chelsea të Londrës. Familja e tij është nga Prishtina. Prindërit e tij morën rrugën e mërgimit para luftës në Kosovë nga lagjja “Xhamia e Llapit”, në kërkim të një jete më të mirë. Kështu që, karriera e Andit si futbollist nisi në moshën pesëvjeçare, në një ekip të quajtur Eagles United.

“Më kujtohet stërvitja e parë në futboll me skuadrën Eagles United. Jam ndier shumë komod, kam dashur që të arrij diçka në futboll. Kam thënë se dua të përkushtohem fort dhe të arrij sa më shumë. E kam pasur ëndërr gjithnjë”, thotë djaloshi, të cilit në fytyrë i shihej qartë krenaria për të arriturat e deritanishme në futboll. Andi është rritur në një ambient futbolli, me njerëz që kanë qenë adhurues të sportit më të popullarizuar në botë. Ka qenë një adhurues i veçantë i këtij sporti që zbuloi talentin e tij.

“Trajneri im ka punuar në shkollën fillore ku unë shkoja. Ka qenë i çmendur pas futbollit. Më tha eja të luash për ekip, dhe kemi pasur marrëdhënie të mira me të. Ka qenë njeri me ndikim të madh në mua mësuesi Hisham Mahmoud”, kujton Andi.