Sport

Izraeli me një stërvitje e shumë sigurim për ndeshjen ndaj Kosovës

Vetëm një stërvitje ka planifikuar ta zhvillojë përfaqësuesja e Izraelit në futboll para ndeshjes ndaj Kosovës. Izraeli do të grumbullohet më 10 nëntor, ndërsa një ditë më vonë do ta zhvillojë një stërvitje para ndeshjes kundër Kosovës. Stërvitjen e ka planifikuar ta mbajë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, ku më 12 nëntor do të përballet me “Dardanët”, në ndeshjen që u takon kualifikimeve për “Euro 2024”. Tri ditë para se të luhet ndeshja, Izraeli ka planifikuar të dërgojë një numër të madh të sigurimit shtetëror të Izraelit në Prishtinë.

“Një zyrtar i sigurisë shtetërore të Izraelit ka qëndruar javën e kaluar në Kosovë. Më 9 nëntor do të vijnë një pjesë e delegacionit të Izraelit bashkë me sigurim. Ekipi do të vij në Prishtinë më 10 nëntor, kurse më 11 nëntor është planifikuar stërvitja e vetme e Izraelit në Prishtinë. Më 12 nëntor është loja. Por tri ditë para ndeshjes do të jetë në Prishtinë një numër i sigurimit shtetëror. Edhe UEFA do ta dërgojë zyrtarin e sigurisë. Do të ketë edhe gazetar nga Izraeli”, ka thënë të mërkurën një zyrtar i Federatës së Futbollit të Kosovës në kushte anonimiteti për KOHËN.

Disa detaje rreth grumbullimit të Izraelit për ndeshjen ndaj Kosovës, të mërkurën i kanë zbuluar edhe mediumet izraelite. Sipas tyre, futbollistëve të Izraelit tashmë i janë dërguar incizime të ndeshjeve të Kosovës për të qenë sa më të gatshëm për ndeshjen që i takon Grupit I kualifikues.

“Alon Hazar do të ketë një seancë të vetme stërvitore për të përgatitur lojtarët e tij për ndeshjen e datës 12 nëntor. Prandaj lojtarët e Izraelit kanë në dispozicion disa video të Kosovës në mënyrë që ata të vijnë të përgatitur”, shkruan “one.co.il”.

Ndeshja Kosovë – Izrael u shty nga UEFA për shkak të situatës së fundit në Lindjen e Mesme. Për arsye të njëjtë nuk u luajt muajin e kaluar as ndeshja e Izraelit kundër Zvicrës. Pas Kosovës, Izraeli do t’i ketë edhe tri ndeshje të tjera. Pra, për nëntë ditë do t’i ketë katër ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm. Të parën do ta ketë ndaj Kosovës në Prishtinë, kurse të dytën kundër Zvicrës më 15 nëntor. Me Rumaninë luan më 18 nëntor, derisa kundër Andorrës më 21 nëntor. Ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Rumanisë, Izraeli i ka caktuar t’i luajë në Hungari.

“Alon Hazar do ta ketë ekipin e tij në dispozicion vetëm të premten në mbrëmje, më 10 nëntor, më pak se 48 orë para ndeshjes së rëndësishme ndaj Kosovës. Ai do ta ketë skuadrën e plotë për një stërvitje të vetme – vetëm atëherë kur do t’i ketë lojtarët e Maccabi Tel Avivit dhe Maccabi Haifas. Lojtarët e Haifas luajnë një ditë më parë në Evropë. Për të qenë të përgatitur, Hazan ka nisur t’u dërgojë video lojtarëve që të mësojnë gjërat pozitive të lojtarëve të Kosovës, avantazhet, por edhe disavantazhet që kanë”, shkruan tutje sajti izraelit.

Listën e lojtarëve për ndeshjet e këtij muaji, Izraeli pritet ta publikojë të dielën. Në listë, selektori Hazan pritet të përfshijë 28 lojtarë.

“Ekipit të Izraelit pritet t’i shtohet edhe një fizioterapist, një tjetër ekonomist dhe persona të tjerë, varësisht nga nevojat e rrugëtimit të vështirë dhe të pazakontë të skuadrës”, ka shkruar sajti izraelit.

e Izraelit nuk do të jetë edhe portieri i Cërvena Zvezdës. Mediumet në Beograd kanë raportuar se portieri nuk është lejuar të udhëtojë drejt Prishtinës, një ditë pas ndeshjes në mes të Cërvena Zvezdës dhe Zhelezniçarit. Por mediumet izraelite raportojnë se ekipi serb nuk ia ka dhënë dritën jeshile portierit pasi kanë frikë për sigurinë e tij në Prishtinë. Ndërkohë, Kosova rrezikon të jetë pa shumë lojtarë në ndeshjen ndaj Izraelit. Aktualisht, Izraeli është i treti në grup me 11 pikë të mbledhura pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara. Ka katër pikë më shumë se Kosova që ka një ndeshje më shumë të luajtur, që renditet e katërta. Rumania i prin grupit me 16 pikë dhe ka tetë ndeshje të luajtura, një më shumë se Zvicra që zë vendin e dytë dhe ka një pikë më pak. Dy vendet e fundit në grup i mbajnë Bjellorusia me 6 dhe Andorra me 2 pikë, përfaqësuese këto që i kanë luajtur nga tetë ndeshje deri më tani.