Tre lojtarë në futbollin kosovar kanë pësuar lëndime në dy ndeshjet e para pas afro tre muajsh pushim shkaku i koronavirusit.
Më së rëndi e pësoi Përparim Islami i Feronikelit, që të shtunën duhet t’i nënshtrohet operimit pas lëndimit që e pësoi në gju të mërkurën në gjysmëfinalen në mes Ballkanit dhe Feronikelit.
“Është ligamenti kryqëzor dhe menisku. Nuk mendoj se është faji që ka filluar futbolli, sepse ne jetojmë për futboll. Unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet që të jem i gatshëm. Shpresoj që të mos kem lëndime të tjera. Jam mërzitur dhe është një lëndim i rëndë. Me ndihmën e Zotit do të kthehem në dhjetor”, ka thënë për KOHËN mbrojtësi Islami.
Duelin e njëjtë para kohe e mbylli edhe Harmon, i cili pati probleme me muskuj, por që ka stërvitur me ekipin të enjten.
Hiç më mirë nuk ka kaluar as ndeshja gjysmëfinale e parë ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës, pasi Arbios Thaçi u zëvendësua, por raportohet se nuk ka ndonjë lëndim shumë serioz.
Trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, paralajmëron se shkaku i pauzës së gjatë, mund të ketë edhe lëndime të tjera.
“Mund të pritet që edhe në ndeshjet e ardhshme të ketë lëndime, jo vetëm te ne por edhe te skuadrat tjera sepse pauza e bën të veten dhe dy javë kemi thënë gjatë gjithë kohës që nuk janë të mjaftueshme për asnjë skuadër të përgatitet. Mirëpo, është kjo që është dhe duhet të përballemi. Më së miri do të kalojë ajo skuadër që ka më tepër potencial në bankë sesa gjitha të tjerat”, tha tekniku i Feronikelit, Tovërlani.
Zyrtarisht klubet në grupe kanë nisur të punojnë pak javë më parë, kur edhe morën leje nga Ministria e Shëndetësisë. Por, vazhdimisht ka pasur ankesa se forma nuk është më e mira e mundshme.
Këtë e thotë edhe ish-futbollisti i shumë skuadrave të Kosovës, Erdin Hashani.
“Nuk kemi klub që i paguan të gjitha vitaminat. Veç kësaj, ka qenë kohë shumë e shkurtër për t’u përgatitur. Në kushte normale duhen gjashtë javë që të arrihet përgatitja fizike dhe për dy javë e humb atë. A janë të mjaftueshme dy javë për përgatitje fizike, që është e pamundur në Evropë e lëre më këtu tek ne. Do të ketë shumë lëndime duke paraparë ngarkesën e ndeshjeve. Shpresojmë që futbollistët të kenë fat”, thotë Hashani.
Përgatitje larg maksimales për shkak të kohës së shkurtër të stërvitjeve kolektive është cilësuar nga analisti i futbollit, Ardian Llumnica.
“Futbollistët e trajnerët duhet të na dëshmojnë se a kanë punuar me të vërtetë individualisht me programe apo kanë qenë vetëm “spote”, siç dimë të bëjmë. Atë që e kanë promovuar gjatë pauzës së pandemisë, tregon qartë se përgatitja e lojtarëve assesi nuk është zero, përkundrazi, fazën përgatitore e kanë filluar në 50% të tyre fizik”, nënvizoi Llumnica.
Se mund të lërë pasoja te futbollistët gjatë zhvillimit të kampionatit e thotë edhe fizioterapeuti Ervin Meqikukiqi.
“Ky pushim mund të sjellë shumë efekte negative në aspektin osteo-muskular dhe ligamentoz. Mund të përballemi me lëndime si thyerje, dëmtime muskulore dhe këputje të ligamenteve. Këto lëndime mund t’i lënë futbollistët jashtë nga 4 deri në 6 muaj. Mendimi im është që rikthimi ka qenë i ngutshëm, sepse përgatitja fizike vetjake e lojtarëve nuk mund të jetë shumë efektive sa të përballemi me temp të lojës për 90 minuta. Duhet të bëhet matja e kapaciteteve motorike për të parë se si qëndrojmë në aspektin kardiovaskular dhe testin Isokinetic, që është matja e forcës së muskujve të këmbëve në mes të quadricepsit dhe hamstringut”, ka deklaruar për KOHËN fizioterapeuti Meqikukiqi.
Edhe mjekë të klubeve dhe Përfaqësueses së Kosovës kanë kërkuar kujdes nga futbollistët.