Vrapime të shpejta. Ndërprerje të aksioneve me kohë. Pasime qetësuese.
Antoine Griezmann bëri gjithçka për Francën të mërkurën mbrëma dhe tani ai do të luajë në finalen e tij të dytë të Kupës së Botës. Griezmann pati momente të jashtëzakonshme në të dy zonat e penalltisë - dhe në të gjitha pjesët e fushës në mes - për të ndihmuar Francën që ta mposhtë Marokun me rezultatin 2:0 në gjysmëfinalen e luajtur në stadiumin “Al Bayt”. Ishte një paraqitje madhështore e një lojtari të talentuar që ka rikrijuar veten në Kupën e Botës së këtij viti. Dhe, tani ai do të përpiqet t'ia mohojë Lionel Messit, ish-bashkëlojtarit të tij te Barcelona, titullin e parë të Kupës së Botës të dielën. Franca do të përballet me Argjentinën në stadiumin “Lusail” prej orës 16:00. Griezmann luajti si sulmues krahu në Kupën e Botës “Rusia 2014”, më pas ishte kërcënimi kryesor për golat e Francës në fitoren e titullit të vitit 2018. Ai tani është një mesfushor i gjithanshëm duke krijuar shanse për shokët e tij të skuadrës dhe duke shuar kërcënimet kundërshtare.
“Griezmannkante”, shkroi Paul Pogba me admirim në llogarinë e tij në Instagram pas vërshëllimës së fundit ndaj Marokut. Pogba dhe N'Golo Kante, një specialist i pamëshirshëm i rikuperimit të topit, ishin zemra e mesfushës së skuadrës së fundit fituese të titullit të Francës dhe mungesat e tyre në Katar për shkak të dëmtimit i dhanë më shumë përgjegjësi 31-vjeçarit Griezmann. Ishte një Griezmann më i moshuar dhe më i mençur, i cili pasi u votua lojtari i ndeshjes ndaj Marokut në gjysmëfinale dhe si reflektoi kjo fitore dhe bëri që futbollisti të ndihet ndryshe prej asaj para katër vjetësh më parë, kur u mund Belgjika 1:0.
“Kundër Belgjikës, unë qava”, tha Griezmann. “Mendoj se tani jam më i fokusuar. Tashmë jam i fokusuar te finalja e së dielës. Mundohem të mbaj këmbët në tokë. Unë jam më i kompozuar”.
Vrapimi i tij me kohë të përsosur përtej mbrojtjes së Marokut e dërgoi topin në zonën e penalltisë që çoi në golin e hershëm të Francës të mërkurën. Theo Hernandez ishte përfituesi dhe shënoi golin në minutën e pestë të ndeshjes. Kur Maroku e vuri Francën nën presion të madh në pjesën e dytë, Griezmann u përgjigj me ndërhyrje, goditje me kokë dhe bllokime. E gjithë energjia e tij e pakufishme ishte e nevojshme përpara se fitorja të vulosej nga ndikimi i menjëhershëm i zëvendësuesit Randal Kolo Muani - dhe goli i menjëhershëm - në minutën e 79-të.
“Ai pati një paraqitje të jashtëzakonshme”, tha mbrojtësi i djathtë i Francës, Jules Kounde, për Griezmannin. “Ai punon shumë, bllokon vrimat dhe më pas sa herë që prek topin përpiqet të ndezë lojën”.
Kur mbaroi ndeshja, Griezmann ngriti ngadalë të dy krahët dhe eci nëpër fushë për të përqafuar mbrojtësin Ibrahima Konate, i cili gjithashtu ishte një pengesë e madhe për sulmet e vazhdueshme të Marokut. Griezmann më pas shkoi për të ngushëlluar disa nga kundërshtarët e tij duke kërkuar portierin Yassine Bounou, i cili gjithashtu luan në ligën spanjolle. Griezmann është bërë një shembull i përsosur se si Franca ka evoluar pas 10 vjetësh nën drejtimin e trajnerit Didier Deschamps. Skuadra arriti në çerekfinale të Kupës së Botës në vitin 2014 dhe më pas luajti në finalen e Kampionatit Evropian 2016, duke humbur nga Portugalia në Paris. Francezët e ndoqën këtë rrugë me titullin e Kupës së Botës në vitin 2018 dhe ata do të kenë një shans për të fituar titullin e tretë në historinë e tyre të dielën kundër Argjentinës. Shtylla e këtij ekipi - portieri Hugo Lloris, qendërmbrojtësi Raphael Varane, Griezmann dhe sulmuesi Olivier Giroud - ka qenë një prani e vazhdueshme për Francën në secilën ndeshje në Katar. Shpejtësia shpërthyese dhe golat e Mbappes kanë ndihmuar gjithashtu shumë dhe i kanë sjellë lavdi gjysmës së dytë të epokës së Deschampsit. Të dielën mund të ketë akoma më shumë për të shtuar në listën tashmë mbresëlënëse të arritjeve të tij.
“Po, Griezmanni po luan shumë mirë në këtë turne dhe shpresoj të jetë në këtë formë edhe të dielën. Ai është tip i lojtarit që e ndryshon lojën e ekipit, sepse punon shumë në fushë dhe teknikisht është i përsosur. Këtë herë ai po luan në një rol krejtësisht tjetër, por është përshtatur. Atij po i pëlqen të jetë plejmejker”, ka thënë Deschamps.