Mesfushori Jack Grealish pranon se ende nuk ka arritur të përshtatet te skuadra e Manchester Cityt. Ai thotë se do t’i duhet më shumë kohë se sa kishte menduar për t’u përshtatur në një rol tjetër te City.
Grealish kaloi te City nga Aston Villa si transferim i bujshëm. Reprezentuesi anglez insiston se është në rrugë të mbarë për ta fituar besimin e të gjithëve në klub, përfshirë edhe tifozët që nuk janë të kënaqur me paraqitjet e tij. Grealishit iu deshën më pak se katër minuta lojë për të asistuar për Riyad Mahrezin, i cili shënoi golin e vetëm në fitoren e Cityt ndaj Chelseat në derbin e xhiros së 19-të në Premier League, që u luajt të enjten mbrëma në stadiumin “Stamford Bridge”.
Ishte një nga tri asistimet që 27-vjeçari i ka bërë këtë sezon, po aq sa në të gjithë sezonin e tij të parë për Cityn. Grealish tha se kishte shpresuar që të shënonte edhe më shumë gola te City, pasi deri më tani ka realizuar vetëm një. Grealish ishte pjesë e Anglisë në Kupën e Botës “Katari 2022”, pavarësisht se ende nuk e ka arsyetuar çmimin rekord prej 120 milionë eurosh që City e pagoi për ta transferuar nga Aston Villa në verën e vitit 2019. Në Botërorin e Katarit, në të cilin Anglia u eliminua në çerekfinale, Grealish pati kryesisht rol të rezervistit.
“Kur erdha te City, më duhet të pranoj, ishte më vështirë nga sa e mendoja. Në kokën time mendoja se do të shkoja te skuadra që ishte në krye të ligës dhe do të shënoja shumë gola dhe do të bëja shumë asistime. Por nuk është kështu”, tha Grealish. “Tek Aston Villa ishte ndryshe pasi isha lojtari kryesor dhe tani më duhet edhe pak më shumë kohë të adaptohem te City”.
Grealish ka shënuar vetëm katër herë që nga transferimi 18 muaj më parë. Ka dy gola më pak sesa shënoi në sezonin e fundit me fanellën e Aston Villas. Në ekipin e Cityt, Grealish jo vetëm që ende është rezervist, por ka edhe rol të kufizuar. Kjo për faktin se skuadra e trajnerit Pep Guardiola është e mbushur me yje dhe Grealish ende nuk ka arritur ta mposhtë konkurrencën e fortë për një vend titullari.
“Kur luaja tek Aston Villa nuk isha i limituar. Kisha liri në fushë dhe shpesh nuk i dëgjoja këshillat e trajnerit. Mirëpo, te City nuk mund të veprosh në këtë mënyrë. Kështu që unë po adaptohem me ndryshimin drastik që e kam përjetuar prej se jam transferuar këtu”, shtoi Grealish. “Përfundimisht nuk është e lehtë të përshtatesh në një ekip të mbushur me yje dhe një trajner që kërkon shumë. Megjithatë, mendoj se gradualisht do të përmirësohem dhe do t’i bindi të gjithë se meritoj të jem pjesë e kampionit të Anglisë”.
Grealish në sezonin e tij të parë e fitoi titullin e kampionit me Cityn dhe po shpreson që suksesin e njëjtë ta përsëritë edhe këtë edicion. Në edicionin e shkuar, mesfushori pati në total 39 paraqitje, ku kontribuoi me gjashtë gola e katër asistime. Ai ka kontratë me Cityn deri në verën e vitit 2027.