Sport

Futbollisti i Serbisë kujton paraqitjen e kuqezinjve ndaj Italisë

Nikola Shtuliq

Futbollisti i Serbisë, Nikola Shtuliq, e ka vlerësuar si shumë të vështirë ndeshjen e së shtunës ndaj Shqipërisë në Arenën Kombëtare në Tiranë.

Shtuliq është 23-vjeçar dhe luan në sulm për skuadrën belge Charleroi. Ai i ka vlerësuar lojtarët e Shqipërisë.

“Do të jetë vështirë, por secili që del në fushën e lojës do të jap maksimumin për rezultat të mirë dhe që të sjellim tri pikë në Beograd. Është ndeshja e parë për ne. Është gjithnjë mirë që të fillojmë kualifikimet me rezultat të mirë. Shkojmë të fokusuar dhe me synim të qartë për rezultat të mirë”, ka thënë Shtuliq të mërkurën për faqen zyrtare të federatës serbe.

Serbia po i vazhdon përgatitjet në Beograd për ndeshjen kualifikuese me kuqezinjtë. Futbollisti serb ka thënë se nuk bëhet fjalë për nënçmim të Shqipërisë.

“Ka shumë lojtarë të mirë. E kujtoj ndeshjen e tyre ndaj Italisë në Evropian dhe epërsinë e hershme. Është reprezentacion i mirë, ka kualitetin e saj. Por nëse ne jemi të vërtetët, jemi të fokusuar, japim çdo gjë nga vetja dhe jemi të bashkuar për qëllimin, do të duhej që në fund rezultati të jetë i kënaqshëm dhe tri pikët t’i marrim me vete”, ka shtuar Shtuliq.

Në Euro 2024, Shqipëria kaloi në epërsi pas pak sekondash ndaj Italisë. Por në fund Italia fitoi 2:1.