Vetëm në ndeshjen e fundit kualifikuese, Gjermania e siguroi pjesëmarrjen direkte në Kupën e Botës 2026. “Përgjegjëse” për këtë është Sllovakia, që e la të hapur garën në Grupin A deri në fund.
Më 17 nëntor, Gjermania fitoi bindshëm, 6:0, ndaj sllovakëve dhe u kualifikuar direkt në Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë.
Është vështirë të thuhet që Sllovakia e shfaqi më të mirën e mundshme në ndeshjen në Leipzig.
Fitorja 2:0 në Bratisllavë, më 4 shtator, po ndaj Gjermanisë, dëshmon që Sllovakia është përfaqësuese goxha serioze. Jo e nivelit të Gjermanisë, por e nivelit serioz evropian.
Sllovakia e pret Kosovën në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2026. Ndeshja luhet më 26 mars të vitit të ardhshëm.
Në kualifikimet e rregullta sllovakët i shënuan katër fitore dhe i pësuan dy humbje. Pos nga Gjermania pësuan edhe nga Irlanda e Veriut në Belfast, më 10 tetor, me rezultatin 2:0. Por në shtëpi i kanë fituar të gjitha tri ndeshjet: 2:0 ndaj Gjermanisë, 2:0 ndaj Luksemburgut dhe 1:0 ndaj Irlandës së Veriut.
Fitorja ndaj Irlandës së Veriut, më 14 nëntor ishte shumë e vështirë – me gol të minutës së 91-të.
Sa u takon rezultateve, sllovakët nuk kanë pasur ndonjë stabilitet këtë vit. Në mars fillimisht luajtën pa gola me Slloveninë në shtëpi e më pas u mposhtën 1:0 në Lubjanë. Dhe kështu mbetën në Ligën C të Ligës së Kombeve. Në të njëjtën kohë Kosova fitoi dy ndeshjet me Irlandën dhe avancoi nga Liga C në Ligën B.
Në qershor, Sllovakia pësoi 4:1 në miqësore nga Greqia dhe më pas edhe 1:0 nga Izraeli.
Viti i kaluar ishte goxha i suksesshëm për Sllovakinë. Paraqitja në Euro 2024 e dëshmon këtë. Në Evropianin në Gjermani, kundërshtarja e ardhshme e Kosovës fillimisht fitoi 1:0 ndaj Belgjikës. Më pas humbi 2:1 nga Sllovakia dhe barazoi 1:1 me Rumaninë. E kaloi grupin me sukses.
Në një të tetën e finales pësoi 2:1 nga Anglia, por vetëm pas vazhdimeve.
Në vjeshtën e kaluar, Sllovakia mbeti e dyta në grup në Ligën C të Ligës së Kombeve, njëjtë si Kosova.
Suedia e fitoi grupin me 16 pikë, ndërsa Sllovakia mbeti me 13. Estonia i kishte vetëm katër e Azerbajxhani vetëm një. Me Suedinë, sllovakët kishin barazim në shtëpi dhe humbje në udhëtim.
Italiani Francesco Calzona, është selektor i Sllovakisë. Ai vjet ishte trajner i Napolit nga 19 shkurti deri më 5 qershor të vitit të kaluar. Por nuk u shqua për ndonjë sukses.
“Kosova është ekip që po rritet në kuptimin e performancës futbollistike. Te Kosova zgjodhën një rrugë, po i përmbahen asaj dhe tani po mbledhin frytet e para. Në kualifikime fitoi në Suedi dhe Slloveni, ndërsa barazoi në shtëpi me Zvicrën. Duhet të përfitojmë nga fakti që luajmë në shtëpi, ndonëse është ekip i pakëndshëm dhe i vështirë edhe në fushën e kundërshtarit”, ka thënë Calzona.
Ai e drejton Sllovakinë që nga 30 gushti i vitit 2022. Pra vlerësohet për punën që e bën te kjo përfaqësuese.
Martin Dubravka i Burnleyt është portier i parë i Sllovakisë. Në mbrojtje sllovakët kanë lojtarë cilësorë si kapitenin Milan Shkriniar (Fenerbahçe), Adam Obert (Cagliari), Denis Gyomber (Al Kholood) e David Hancko (Atletico Madrid). Aty janë edhe lojtarët e Bundesligës si Peter Pekarik i Herthas e Denis Vavro i Wolfsburgut.
Stanislav Lobotka i Napolit vlerësohet lojtari kryesor i mesfushës. Në ndeshjen e fundit startuan edhe Matush Bero i Bochumit dhe Ondrej Duda i Al-Ettifaq. Mesfushorët e tjerë luajnë në Kayserispor, Genk, Stoke City e Toulouse.
David Strelec i Middlesbrough udhëhoqi sulmin ndaj Gjermanisë. Startuan edhe David Durish i Rosenborgut norvegjez dhe Leo Sauer i Feyenoordit holandez. Në Stoke City, Lechia Gdansk të Polonisë, Sparta Pragë e Slavia Pragë të Çekisë, Holsten Kiel të Gjermanisë dhe AEL të Greqisë janë lojtarët e tjerë ofanzivë sllovakë.
Lojtarët e Sllovakisë paraqiten në nivel të përafërt me ata të Kosovës.
Sipas “transfermarkt”, vlera e përfaqësueses aktuale të Sllovakisë është 138 milionë euro. Ndërkohë vlera e Kosovës, sipas kësaj faqe të specializuar, është 131 milionë euro.
Rrjedhimisht, Sllovakia është kundërshtare që vlerësohet se mund të kalohet me sukses nga Kosova.
Por, është përfaqësuese e nivelit serioz evropian.