Sport

Fisnik Asllani pret grumbullimin me Gjermaninë U-20 dhe debutimin në Bundesligë

Fisnik Asllani kishte lëndim të rëndë vitin e kaluar. Ndërkohë futbolli u pezullua, ndërsa sulmuesi i talentuar kosovar përqendrimin më të madh e pati në përmirësimin e formës fizike.

Vlerëson se tashmë e ka arritur një gjë të tillë. E ka kaluar lëndimin që e la gjashtë muaj jashtë fushës së blertë dhe ka synime të mëdha për edicionin që po vjen. Synimet i ka me Hoffenheimin dhe Përfaqësuesen e Gjermanisë.

“Me Gjermaninë U-19 kam ushtruar shumë mirë vitin e kaluar dhe këtë vit. Kam marrë lëvdata nga lojtarët, trajnerët. Ka pasur shumë fjalë të mira për mua dhe kanë biseduar edhe me zyrtarë të klubit. Normalisht se klubi më ka treguar mua dhe ka qenë një kohë mjaft e mirë”, thotë shtatlarti Asllani.

Ai para dy muajsh ishte i grumbulluar me këtë grupmoshë, por avancimi nga U-18 thotë se është përcjell me ndryshime të mëdha fizike. Tani e ka më të lehtë të luajë duke përdorur trupin. Më vonë gjatë verës do t’i bashkohet grumbullimit me Gjermaninë U-20, ndërsa në shtator ka ndeshje me këtë grupmoshë.

Asllani ka thënë për KOHËN se para pesë muajsh ka pasur një videokonferencë me legjendat e futbollit gjerman Oliver Bierhoff dhe Miroslav Klose, të cilët u kanë shpjeguar sulmuesve më të dalluar të grupmoshave se si duhet të sillen në situata të caktuara.

Ndonëse po planifikon me Gjermaninë U20 , Asllani nuk ia mbyll derën Kosovës. Thotë se është shumë i lidhur me Kosovën. Madje edhe pushimet që i ka në klub, i shfrytëzon për të ardhur në vendlindjen e prindërve.

“Menaxheri dhe babai im janë në bisedime me Kosovën, për grupmoshën U-21. Do t’ia lëmë kohës, ta shohim”.

Ai në fakt ka qenë te Kosova U-17 dhe debutoi më 9 shtator 2018. Shënoi një gol në pesë takime.

Asllani si talent i dalluar te Union Berlini u kërkua nga skuadra si Bayern Munichu, Schalke, Hertha Berlini e Barcelona. Por në qershor të vitit të kaluar 18-vjeçari i besoi projektit të Hoffenheimit, pjesë e të cilit do të jetë deri në vitin 2024. Te Unioni në Bundesligën U-19 kishte realizuar 15 gola e 7 asistime në 16 ndeshje.

Në ekipin e dytë të Hoffenheimit në 24 ndeshje ka kontribuuar me 2 gola e një asistim.

“Ndonjëherë lëndimet i kanë anët pozitive sepse mund të përmirësohesh fizikisht dhe mësohesh me atë se nuk shkon gjithmonë vetëm mirë por ka edhe gjëra të këqija që mund të ndodhin në karrierë. Lëndimin që e kam pasur më ka mësuar shumë”, tregon 18-vjeçari.

Asllani beson se në edicionin e ardhshëm do ta ketë rastin të debutojë në Bundesligën e Gjermanisë me Hoffenheimin. Trajner është Sebastian Hoeness, i cili i kishte kërkuar Asllanit t’u bashkohej bavarezëve vite më parë. Ai i njeh mirë cilësitë e kosovarit.

“Po presim që t’i bashkohemi ekipit të parë te Hoffenheimit sa më shpejt. Do ta jap maksimumin si gjithmonë, çdo ditë në ushtrime, në lojë. Shpresoj që sa më shpejt të shkoj në ekipin e parë. Po shpresoj që sivjet të debutoj në Bundesligë. Duhet të punoj sa më shumë”.

Franca i ka gjasat më të mëdha, sipas Asllanit, për ta fituar sivjet Kampionatin Evropian. Por synimet e tij janë që një ditë të luajë vetë në këtë ngjarje të madhe.

Nga dita e hënë Asllani do t’i bashkohet kampit që organizohet nga kompania menaxhuese e lojtarëve, Rogon. Ai do të bëjë stërvitje të rënda nga tri herë në ditë, vrapim në male në mëngjes, dy orë ushtrime në palestër dhe në fund stërvitje në fushë futbolli.

E di që vetëm me punë të madhe mund të arrijë atje ku synon – në top-ligat evropiane të futbollit.