Sport

FIFA synon transparencën me kufizime të reja për agjentët e futbollit

Agjentët e lojtarëve profesionistë të futbollit do të kenë tarifat e kufizuara, sipas rregulloreve të reja që synojnë të ofrojnë transparencë në biznesin e turbullt të transferimit të lojtarëve, tha FIFA të premten.

FIFA ka punuar disa vjet për propozimin dhe njoftoi se rregullat e reja, të cilat përfshijnë një provim dhe publikim të listave të klientëve, do të fillojnë të hyjnë në fuqi të hënën.

“Rregulloret e reja prezantojnë standardet bazë të shërbimit për agjentët e futbollit dhe klientët e tyre, duke përfshirë një sistem të detyrueshëm licencimi, ndalimin e përfaqësimit të shumëfishtë për të shmangur konfliktin e interesit dhe futjen e një kufiri në tarifat e agjentëve. Të gjitha këto me objektivin e përforcimit të stabilitetit kontraktual, duke mbrojtur integritetin e sistemit të transferimeve dhe duke arritur një transparencë më të madhe financiare”, thuhet në një deklaratë të FIFA-s.

Agjentët fituan gati 623 milionë dollarë nga përqindjet vitin e kaluar. Kishte një rritje prej 24 për qind krahasuar me vitin 2021, tha FIFA në muajin dhjetor.

FIFA shpreson të kufizojë çrregullimin e një industrie që i lejoi të ndjerit Mino Raiola të fitonte 27 milionë euro prej Juventusit nga marrëveshja prej 105 milionë eurosh që e çoi Paul Pogban në Manchester United në vitin 2016. Raiolas iu pagua një shumë shtesë nga lojtari dhe klubi i tij i ri. Mesfushori francez u kthye te Juventus në korrikun e kaluar, por si lojtar i lirë. Përqindjet e agjentëve për transferimet dhe pagat do të kufizohen në 3 për qind kur përfaqëson lojtarin dhe 6 për qind nëse ka përfaqësim të dyfishtë të lojtarit dhe klubit blerës. Ndërsa fitimet e agjentëve do të kufizohen në 10 për qind kur vepron për klubin shitës.

FIFA tha se do të publikojë listat e klientëve të agjentëve, datat e skadimit të përfaqësimit të tyre, si dhe detajet e të gjitha transaksioneve “duke përfshirë shumat e tarifave të shërbimit të paguara për agjentët e futbollit”.

Agjentët duhet të kalojnë një provim për t'u licencuar tash e tutje. Do të ketë një periudhë tranzicioni “përpara detyrimit për të përdorur vetëm agjentët e licencuar të futbollit dhe kufirin e tarifave të agjentëve”, që do të ndodhë më 1 tetor të këtij viti, tha FIFA. Organi qeverisës e quan këtë “një hap historik drejt krijimit të një sistemi transferimi futbolli më të drejtë dhe më transparent”.

“Ky rregull u miratua nga Këshilli i FIFA-s në mbledhjen e tij në Doha në dhjetor 2022, pas një procesi shumë të gjatë dhe të hapur konsultimi të kryer nga FIFA që nga viti 2018 dhe që përfshin të gjithë akterët kryesorë të futbollit ndërkombëtar. Procesi i konsultimit dhe reformës së FIFA-s në tërësi ishte dhe është i shoqëruar dhe mbështetur publikisht nga institucione dhe organe të ndryshme”, shtoi FIFA.