Sport

Federata e Karatesë sërish me dy kryetarë, përplasjet sa vijnë e forcohen

Besart Baruti ka fituar votat e një grupi të përfaqësueseve të klubeve për të udhëhequr me Federatën e Karatesë së Kosovës. Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i FKK-së u mbajt të shtunën, nëntë ditë pasi Avni Gashi mori besimin e grupit tjetër të klubeve për ta udhëhequr Federatën e Karatesë.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i mbajtur më 28 shtator, që nxori Avni Gashin kryetar, u monitorua nga dy përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), kurse jo edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Ndërkohë, MKRS-ja nuk monitoroi Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FKK-së që të shtunën nxori për kryetar Besart Barutin. Monitorues ishte vetëm përfaqësuesi i KOK-ut, Halil Sylejmani.

Baruti ishte votuar për kryetar të FKK-së edhe më 4 korrik. Por, përfaqësuesit e MKRS-së që monitoruan atë kuvend të jashtëzakonshëm, gjetën shkelje të ndryshme. Ndër të tjera Baruti nuk kishte bazë deleguese nga asnjë klub i licencuar, sipas raportit të monitoruesve nga MKRS-ja.

Pas raportit, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, aprovoi propozimin e Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive për pezullim të licencës së Federatës së karatesë. Sipas vendimit, veprimet e Federatës së karatesë ishin në kundërshtim me Ligjin për sport, Udhëzimin Administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit, licencimit dhe rivlerësimit të federatave, si dhe Statutin e FKK-së.

Më 11 shtator, MKRS-ja ia pezulloi licencën Federatës së Karatesë së Kosovës dhe kërkoi kuvend të ri të saj. Përcaktoi që në Kuvend mund të marrin pjesë vetëm përfaqësuesit e klubeve që janë licencuar.

Por grupi i udhëhequr nga Nazmi Gashi dhe Besart Baruti ftoi të gjitha klubet e karatesë në Kuvend, siç është thënë, sipas Statutit të FKK-së.

“Kuvendi shkoi mirë. Nga 51 klube me të drejt vote, 30 klube morën pjesë dhe u rikonfirmua që shumica e anëtarëve të FKK-së mbështesin Besart Barutin për kryetar. Tash ne presim që MKRS-ja të reflektojë dhe të na kthejë licencën dhe të vazhdojë të na mbështesë financiarisht. FKK-ja po përgatitet për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror dhe financimi do të ishte shumë i mirëseardhur. Ne e kemi ftuar Kuvendin bazuar në vendimin e ministrit, ndërsa që nuk kanë qenë në monitorim (përfaqësuesit e MKRS-së v.j.) nuk ka asgjë të keqe sepse 70 për qind e kuvendeve nuk monitorohen. Monitorimi ose mos monitorimi nga MKRS-ja nuk nënkupton që Kuvendi nuk e ka pasur rrjedhën e duhur. Monitorues ka qenë KOK-u përmes anëtarit të Bordit, Halil Sylejmanit”, ka thënë Nazmi Gashi të dielën për KOHËN.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i së shtunës është mbajtur një ditë pas një takimi ku morën pjesë të gjitha palët e përfshira. Takimi i mbajtur të premten në objektin e MKRS-së, që zgjati rreth tri orë, nuk ka qenë i qetë. Sipas Avni Gashit, pati edhe kërcënime dhe anime.

“Të premten kemi pasur një takim në MKRS me ftesë të ushtruesit të detyrës së sekretarit të MKRS-së dhe në atë takim kemi qenë prezent ne, Nazmi Gashi, Besart Baruti, sekretari i KOK-ut, Besim Aliti, monitoruesit e Kuvendit të mbajtur nga ne si dhe zyrtarë të MKRS-së. Nuk ishte konstruktiv ai takim, përkundrazi ishte destruktiv nga ana e Nazmi Gashit dhe sekretarit të KOK-ut që mbante hapur anën e Nazmi Gashit dhe Besart Barutit. Nuk ishte takim i qetë, pati edhe kërcënime. Pas këtij takimi, të shtunën Nazmi Gashi dhe Besart Baruti kanë mbajtur Kuvend familjar i cili është thirrur me pikën e njëjtë të statutit, nenin 6 pika 1, si para katër muajsh e që rezultoi i kundërligjshëm. Pra ai Kuvend nuk ka legjitimitet, për të mos i përmendur veprimet brenda asaj mbledhje që ngjasonte në maskaradë. Federata e Karatesë e Kosovës ka përfunduar Kuvendin legjitim më 28 shtator dhe ka organet e saj. Presim që shpejtë të ndërrohet edhe në OJQ struktura dhe të kthehemi në zyre të FKK-së dhe të përgatitemi për Botëror”, ka thënë Avni Gashi të dielën për KOHËN.

Përplasjet në karate do të vazhdojnë. Dhe si gjithnjë çmimin e paguajnë sportistët.