Donjeta Halilajt nuk i kujtohet për momentin sa gola dhe asistime i ka bërë me fanellën e Kosovës. Shifrat për mesfushoren e Beshiktashit kanë pak rëndësi. E rëndësishme për 23-vjeçaren është suksesi i Përfaqësueses së Kosovës. Kosova mbylli me sukses dy ndeshjet e muajit të kaluar në Ligën e Kombeve. Shënoi dy fitore kundër Maqedonisë së Veriut, në kuadër të Grupit 5 të ligës C të Ligës së Kombeve. Pas fitores 2:0 javë ne kaluar në Shkup, Kosova të martën pasdite në Prishtinë e fitoi edhe ndeshjen e dytë me rezultatin 3:1. Halilaj shënoi golin e parë në ndeshjen në “Fadil Vokrri”, kurse në ndeshjen e luajtur në Shkup kontribuoi me asistim në golin e parë.
“Është ndjenjë e mirë të shënosh dhe të asistosh, sidomos kur bëhet fjalë për ndeshjet për Kosovën. Jam shumë e lumtur për këtë gjë. Por edhe më e lumtur jam që shënuam dy fitore të rëndësishme”, ka thënë Halilaj të enjten për KOHËN.
Me fitoren e arritur të martën, Kosova është forcuar në pozitën e parë në grup me shtatë pikë, tri më shumë se Bullgaria që është e dyta dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
“Kosova çdo ditë e më shumë është në rritje dhe jemi shumë afër të jemi liderë të grupit. Por koncentrimi maksimal do të jetë në ndeshjen kundër Bullgarisë dhe do të jemi shumë të kujdesshëm dhe jo të kënaqemi ende pa nisur ndeshja”, ka theksuar Halilaj.
Ndeshjen e fundit në grup, Kosova e luan më 1 dhjetor ndaj Bullgarisë pas barazimit pa gola në duelin e parë në Sofje të luajtur në shtator. Me fitore në këtë ndeshje, Kosova do ta fitonte grupin dhe do të promovohej në ligën B të Ligës së Kombeve për edicionin e ri. Në rast se mbetet e dyta, atëherë do të luajë në plejof për ta siguruar ngjitjen në një ligë më lartë.
“Puna brenda ekipit kombëtar është shumë e mirë. Ka rregull e disiplinë. Motivi ynë kryesor është vet emri Kosovë. Është ndjenjë dhe krenari ta përfaqësosh shtetin tënd”, thotë ish-futbollistja e Mitrovicës, Vllaznisë së Shkodrës dhe Hajvalisë.
Ajo në korrik të këtij viti iu bashkua Beshiktashit turk nga klubi i futbollit Mitrovica.
“Jam duke luajtur rregullisht te Beshiktashi. Gjithçka është duke shkuar mirë. Me fanellën e Beshiktashit nuk kam shënuar ende gol, por asistime kam bërë shumë. Puna ime është të jap asistime e jo gola. Por shpresoj ta ndihmoj edhe me gola Beshiktashin pasi të kthehem atje. Po i bashkohem Beshiktashit me shumë motiv dhe gëzim pas fitoreve me Kosovën”, ka shtuar ajo.
23-vjeçarja është prej lojtareve më me përvojë te Kosova. Ëndrra e saj me Kosovën është të paraqitet në ndonjë Evropian apo Botëror.
“Synimet janë të shkojmë sa më lart duke zhvilluar paraqitje të mira. Por ëndrra e secilës prej nesh është që me Kosovën të arrijmë ndonjë sukses të madh. Por së pari ta mbyllim me sukses paraqitjen në Ligën e Kombeve”, ka thënë Halilaj.
Për Kosovën, ky është edicioni i parë që po paraqitet në Ligën e Kombeve për futbolliste.