Sport

E bronzta botërore, sukses historik për karateistet kosovare

Pasi fitoi luftën kundër karateistes nga Kazakistani, Vlera Qerimi u nis drejt Fortesa Oranës dhe Albulena Gërvallës për të festuar. Vlera dhe Fortesa u larguan me lot në sy nga tatami, për t’iu bashkuar pjesës tjetër të ekipit të Kosovës që fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Botëror të karatesë, në konkurrencë ekipore. Botërori u zhvillua deri të dielën në Budapest të Hungarisë, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës e siguroi vendin e tretë nëpërmjet repesazhit. Në finale të repesazhit, Kosova e mposhti Kazakistanin me rezultat 2:0.

Podiumin, karateistet e Kosovës e ndanë me ato të Kroacisë, që po ashtu fituan medaljen e bronztë në konkurrencë ekipore. Vendin e parë e zuri Spanja. E dyta u rendit Japonia.

Është ky një prej sukseseve më të mëdha të karatesë kosovare deri më tani. Medaljen e bronztë e vlerëson sukses të madh karateistja nga Gjilani, Fortesa Orana. Ajo ishte kapiteni e Kosovës. Pjesë e ekipit ishin edhe Vlera Qerimi, Albulena Gërvalla dhe Hatigje Zejnullahu.

“E vlerësoj historik për mua, pasi kam punuar shumë për këtë rezultat. Me ekipin e femrave e kemi fituar vendin e tretë në botë. Si garuese i kam fituar pesë luftëra personalisht. Lufta e parë ka qenë shumë me rëndësi ku kam fituar bindshëm 2:0. Pastaj me Japoninë e kam fituar luftën, por humbëm me rezultat të ngushë 2:1. Japonia u kualifikua në finale dhe na tërhoqi në repesazh. Ndaj Zvicrës kemi fituar unë dhe Vlera bindshëm 2:0, pastaj me Francën kam pasur meç të vështirë, por ka qenë dita jonë dhe askush nuk ka mundur të marrë dhe kështu mposhtëm Francën bindshëm 2:0. Ndërsa për luftën kryesore me Kazakistanin në finale kemi pasur stres, për shkak se Kazakistani është fuqi botërore”, ka thënë Orana për KOHËN të dielën.

Ajo kishte bindjen se do ta mposhte kundërshtaren nga Kazakistani, përfaqësuese që kishte arritur deri në gjysmëfinale dhe në fund mbeti pa medalje.

E bindur për sukses ishte edhe Vlera Qerimi.

Image

Kosova e nisi me fitore garën ekipore. Mposhti në luftën e parë Anglinë, të enjten. Humbi nga Japonia në luftën e dytë, të premten. Por Japonia avancoi në gjysmëfinale dhe kështu i dha rast të dytë Kosovës. Karateistet kosovare rreshtuan fitoret për ta fituar të bronztën. E mposhtën Zvicrën e Francën derisa bindëse ishin edhe kundër Kazakistanit. Dueli për të bronztën botërore me Kazakistanin u zhvillua të dielën.

“E kisha një qetësi dhe isha e bindur se do të fitoja. Ishte kundërshtare e njohur për mua, pasi garojmë në kategorinë e njëjtë dhe me një qetësi fitova bindshëm 4:3. Me këtë fitore ia dhashë një shtytje të madhe ekipit. Pastaj edhe Vlera fitoi ndaj kazakes tjetër dhe fituam të bronztën.Kjo ishte historike për ne”, është shprehur Fortesa Orana.

Është medalja e parë e madhe e fituar për Kosovën në sportin e karatesë në gara ekipore. Më herët janë fituar medalje në gara individuale si në Botëror ashtu edhe në Evropian, por nga karateistët.

“Ka një kohë të gjatë që synoj këtë medalje botërore. Gjithmonë kam qenë afër. Kam pesë vende të pesta në gjithë karrierën time. Kam tre evropianë në vend të pestë dhe dy vende të pesta në garat e forta, Premier League. Dhe pas krejt këtyre vendeve të pesta e kam ditur se një ditë do të vij një rezultat i mirë dhe jam shumë e lumtur për këtë botëror”, ka theksuar tutje Orana.

Ajo ka kërkuar gjatë suksesin në garat e mëdha. Në konkurrencë individuale nuk ka ende medalje të madhe.

Në Botëror, në konkurrencë individuale, Fortesa Orana nuk pati rrugëtim të gjatë. U ndal në luftën e dytë. Por e kompensoi me paraqitje në konkurrencë ekipore.

“Kjo medalje më ka hapur rrugët në shumë aspekte dhe jam shumë e motivuar për të vazhduar ende më shumë dhe tashmë më mbetet si synim të shpallem kampione e Evropës. Kjo medalje më ka dhënë vetëbesim të madh dhe ia dola. Në mendjen time e kam pasur gjithmonë ta fitoj një medalje, kurse tash do të jem shumë më e qetë në garat e ardhshme. Më është shpërblyer mundi dhe gjithë vështirësia që e kam kaluar. Jam falënderuese shumë ndaj Zotit”, është shprehur Orana.

Ajo është garuese e kategorisë mbi 68 kilogramë. Pas të bronztës ekipore synon suksese në garat individuale.

“E kam thyer akullin dhe nuk do të ndalem derisa ta realizoj ëndrrën të fitoj medalje botërore e evropiane edhe në garat individuale. Nuk kam plane për ta lënë, kam plane për të vazhduar më fuqishëm për t’u përgatitur për Evropian”.

Me më pak përvojë në garat ndërkombëtare është Vlera Qerimi. Por ajo pati rol të madh në suksesin në Botëror. Vlera ishte e suksesshme në tatami në katër prej pesë luftërave.

“Prej Kosovës jemi nisur për të fituar dhe në mendje e kishim fitoren. Ndihmë të madhe e kam pasur edhe Fortesën me të cilën jemi prej një klubi dhe më ka shtyrë shumë përpara, pasi përvoja e saj tregon shumë. Ka qenë Botërori im i parë si seniore. Kemi hyrë për fitore nga lufta e parë. Kemi punuar shumë për këtë Botëror”, ka thënë Vlera Qerimi.

21-vjeçarja garon në kategorinë deri 68 kilogramë.

“Është një shtysë shumë e madhe për mua kjo medalje, duke ditur se tash jam me medalje botërore. Nuk jam shumë larg kundërshtareve, sepse në ekipore kam luftuar edhe me kampione dhe medaliste të shumëfishta botërore. I kemi mposhtur dhe kjo të shtynë të mendosh se nuk je larg dhe duhet të ecim para dhe t’i sjellim Kosovës medalje edhe nga ngjarjet e tjera”, ka theksuar Qerimi.

Qerimi në konkurrencë individuale u ndal në luftën e parë. Por beson se në të ardhmen do t’i sjell Kosovës medalje individuale nga ngjarjet globale.

“Karateja është një sport interesant për shkak se sot nuk je mirë, kurse të nesërmen mund të jesh edhe më mirë. Në garat individuale nuk ishte dita ime, nuk ishte fati im dhe nuk arrita ta tregoj atë që unë di ta bëj zakonisht. Por në ekipore e kishim shpirtin e ekipit dhe depërtuam më tutje duke arritur medalje historike”, ka thënë Qerimi.

Kosova u përfaqësua me 14 garues në Botëror. Paraqitja në konkurrencë individuale ishte për t’u harruar.

Suksesi i karateisteve në Budapest ka lënë në hije telashet e mëdha që ka komuniteti i karatesë, që prej disa muajsh është i ndarë në dy grupe.