Ibrahim Dresheviq është vlerësuar nga përzgjedhësi, Bernard Challandes, pas dy ndeshjeve të javës së kaluar që Kosova i luajti në kualifikimet për botërorin “Katari 2022”, ndaj Gjeorgjisë dhe Greqisë.
Vlerësime pozitive mori edhe nga bashkëlojtarët dhe njohësit, ndërsa edhe vetë Dresheviq thotë se është i kënaqur me paraqitjet që ka bërë në të dy ndeshjet. Megjithatë, ai qëndron me këmbë në tokë dhe thotë se “gjithmonë futet në fushë për ta dhënë më të mirën”.
Futbollisti i skuadrës elitare të Holandës, Heerenveen, në të dyja ndeshjet e Kosovës luajti si mesfushor defansiv. Ai te ekipi holandez luan në qendër të mbrojtjes. Por Dresheviq insiston se nuk e ka problem të luajë në të dyja pozicionet.
“Unë luaj aty ku trajneri kërkon të luaj dhe unë nuk e kam problem të paraqitem si mesfushor apo edhe si mbrojtës”, ka thënë Dresheviq të hënën. Ai pritet të jetë startues edhe në ndeshjen e tretë të “Dardanëve” për këtë muaj, që e zhvillojnë kundër Spanjës të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 20:45.
Kosova ndaj Gjeorgjisë fitoi në udhëtim me shifrat 1:0, ndërsa të dielën barazoi ndaj Greqisë në Prishtinë me 1:1. Golin e barazimit e shënoi sulmuesi i Lazios, Vedat Muriqi, në minutën e 93-të.
Dresheviq insiston se te Kosova, por edhe te klubi i tij, futet në fushë për ta dhënë më të mirën.
“Unë gjithmonë hyj në fushë për ta zhvilluar ndeshjen time më të mirë dhe ta ndihmoj ekipin sa më shumë që mundem”, është shprehur Dresheviq.
Ish-futbollisti i ekipeve zinxhirë të Suedisë për Kosovën ka luajtur nëntë ndeshje, nga tetori i vitit 2019. Ai lëvdata ka marrë edhe nga njohës të ndryshëm të futbollit në vend. Është vlerësuar për qetësinë që ka në fushë dhe për lojën e mirë me top e po ashtu edhe në ndërprerje të aksioneve të kundërshtarëve.
Ai është i kënaqur që Kosova ka arritur të marrë katër pikë në dy ndeshje, ndërsa ndaj Spanjës pret të luajnë të bashkuar për të nxjerrë rezultat pozitiv.
“Ne gjithmonë futemi në fushë për të fituar ndeshjen dhe tani kemi arritur t’i fitojmë katër pikë në dy ndeshje, kjo është një gjë e mirë. Ndaj Spanjës pres të luajmë të bashkuar, dhe pse jo edhe të arrijmë ndonjë rezultat pozitiv. Do të jetë ndeshje e vështirë. Nuk ka ndeshje të lehta apo edhe ndeshje ku nuk mund të fitosh pikë. Prandaj vetëm të bashkuar mund t’ia dalim”, është shprehur Dresheviq.
Dresheviq ndaj Spanjës pret të ketë edhe mbështetjen e shikuesve, të cilët u kthyen në tribuna ndaj Greqisë pas gati dy vjetësh. Edhe ndaj Spanjës do të lejohet shfrytëzimi vetëm i 10 % të kapacitetit të stadiumit.
“Sa u takon tifozëve, është ndjenjë e mirë gjithmonë t’i kemi sa më afër ‘Dardanët’, sepse na ndihmojnë shumë nga tribunat. Shpresojmë që sa më parë ta shohim stadiumin e mbushur”, ka thënë Dresheviq.