Hetimet e nisura një vit më parë, FIBA i përmbylli javën e kaluar me vendim për arbitrin kosovar të basketbollit, Daut Mehmeti. Mehmeti është përjashtuar përjetë nga basketbolli për kurdisje dhe bastvënie ilegale. Sipas vendimit të FIBA-s, Mehmeti ka kurdisur të paktën katër ndeshje në Ligën Ballkanike në basketboll. Mehmeti ka mohuar përfshirjen, ndërsa ka vlerësuar se FIBA e ka dënuar pa fakte dhe pa të drejtë. Ai ka paralajmëruar ankesë.
Por FIBA nuk është institucioni i vetëm që është marrë me Daut Mehmetin, që ka një vit që nuk drejton ndeshje basketbolli. Prej nëntorit të vitit të kaluar dosja e arbitrit prishtinas është edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Megjithatë, vendim të Prokurorisë nuk ka ende. Dosjen e Mehmetit në Prokurori e ka dërguar Federata e Basketbollit e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin nëntor të vitit 2022 ka pranuar kallëzim penal kundër personit me inicialet D.M., në drejtim të veprës penale ‘Kurdisja e ndeshjes ose e sportit’ dhe i njëjti është në proces”, ka njoftuar Laureta Ulaj, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka konfirmuar se FBK-ja u është drejtuar organeve të vendit.
“Në momentin që kemi marrë raportin e parë që ka shprehur dyshime për përfshirjen e gjyqtarit Mehmeti në manipulime, ne i kemi njoftuar organet e reja”, ka thënë Fetahu për KOHËN.
Pos tri ndeshjeve për të cilat KOHA ka shkruar më herët, shumë e dyshimtë ishte edhe një ndeshje mes Ibarit dhe Sigal Prishtinës e zhvilluar në Rozhajë të Malit të Zi. Ajo është detektuar nga sistemi i “Sportradar”.
Bëhet fjalë për një ndeshje të zhvilluar më 18 janar të vitit të kaluar. Prishtina ishte duke udhëhequr 46:45 pas pjesës së parë, ndërsa pësoi 89:83 në fund. Në raportin e “Sportradar” shkruan se ka fakte të qarta që elemente të ndeshjes ishin të manipuluara me synim për të përfituar nga bastet. Nga bastet e vëna është vlerësuar se bastvënësit kishin fakte që Prishtina do të pësonte me të paktën gjashtë pikë dallim.
Prishtina e kishte fituar çerekun e parë me rezultat 25:19, ndërkohë që kishin nisur bastet shumë të dyshimta. Prishtina më pas kishte humbur çerekun e dytë, ndërsa në të tretin ishte kthyer duke fituar 22:20. Por në të fundit pësoi 24:15 dhe humbi ndeshjen me 89:83, ashtu si ishin vendosur shumica e basteve. Ognjen Jokiq i Malit të Zi ishte arbitri i parë, ndërsa ai ishte ndihmuar nga Daut Mehmeti e Elldin Uglari. Jokiq është i suspenduar nga FIBA për shkak se refuzoi të bashkëpunojë. Nuk përjashtohet mundësia që të dënohet më gjatë.
Jokiq e Mehmeti kanë drejtuar edhe tri ndeshjet tjera për të cilat u dënua arbitri kosovar. Njëra prej tyre ishte e Rahovecit.
Më 2 nëntor të vitit 2021, Prishtina e kishte mposhtur Ibarin me rezultat të lartë 110:85. Më pas humbi me gjashtë pikë në Rozhajë dhe kjo ngjalli dyshime.
Por kryetari i FBK-së mohon mundësinë e përfshirjes së lojtarëve apo skuadrave kosovare, në këtë rast Rahovecit e Sigal Prishtinës.
“Ne e kemi bërë analizën e të gjitha ndeshjeve në të cilat kanë qenë të përfshira klubet e Kosovës. Por nuk kemi ndonjë indicie apo ndonjë shtytje të mendojmë që veprimet e lojtarëve në fushë, apo trajnerëve të cilët e kanë drejtuar ndeshjen, i kanë dhënë kontribut shkuarjes së rezultatit në një drejtim apo tjetrin. Në realitet ka qenë më shumë ndikimi i atyre që është dashur ta ndajnë drejtësinë në terren”, ka thënë Arben Fetahu.
Është e qartë se ndeshjet e Ligës Ballkanike ishin pre e manipuluesve. Udhëheqësi i kësaj lige, Shay Shtriks, ka thënë se “BIBL nuk është duke diskutuar dhe nuk është i përfshirë në çështjet dhe vendimmarrjet e FIBA-s dhe FIBA Evropës”.
Kosova ka pasur prezencë të madhe në këtë ligë me skuadra e gjyqtarë.