Sport

Dominimi i Pejës në sportet me dorë

Palestra “Karagaçi” është prej më të mirëmbajturave në Kosovë. Dhe përgjegjësit e palestrës tani mund të mburren edhe që “Karagaçi” është shtëpi e plot tri skuadrave kampione. Në kampionatin 2022/2023, skuadrat nga Peja i kanë fituar titujt në tri prej katër sporteve kryesore në vend. Dolën të parat në sportet me dorë: basketboll, hendboll dhe volejboll.

Në basketboll titullin e kampionit e fitoi Peja. Në hendboll kampione e Kosovës sërish është Besa Famgas, ndërsa në volejboll skuadra e Pejës i ka fituar dy trofetë e Kosovës.

Bujë më së shumti ka bërë suksesi i Pejës në basketboll, por është Besa Famgas që mban primatin për suksese në Pejë, qytetin e tri kampioneve olimpike në xhudo.

Besa e Pejës për herë të dhjetë rresht e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Në përgjithësi ka shumë më tepër tituj.

Titullin e kampionit për edicionin 2022/23 e fitoi të enjte mbrëma në “Minatori” në praninë e afro 2000 shikuesve. Në ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit, Besa shkëlqeu dhe dominoi plotësisht. Dukshëm më vështirë pejanët e kishin fituar ndeshjen e parë, të luajtur fundjavën e kaluar në “Karagaçi”.

“Vazhduam dominimin në hendbollin kosovar ku u shpallëm fitues të Superkupës më herët e tani edhe kampionë të Kosovës. Dështuam në Kupën e Kosovës. Është hera e dhjetë me radhë që shpallemi kampionë të Superligës së Kosovës. Ta mendosh që dhjetë vjet të jesh në krye, mund të tingëllojë e pabesueshme. Por falë seriozitetit, punës, përkushtimit dhe sponsorit kryesor të klubit, kjo gjë u bë e mundshme për Besa Famgas”, ka thënë kapiteni i Besa Famgas, Egzon Gjuka.

Besa në edicionin e fundit kishte konkurrencë më të fortë se në shumë prej edicioneve të kaluara. U sfidua nga Trepça, që e fitoi Kupën e Kosovës. Por sërish Besa e mbylli kampionatin pa humbje të pësuar.

“Ky edicion, krahasuar me të kaluarit, ishte më interesant. Klubi ynë është koncentruar më shumë në lojtarët vendorë, të cilët e kanë bartur barrën kryesore. Kemi inkuadruar në ekipin e parë shumë lojtarë juniorë dhe kjo bëri që të mendohet se dominimit të Besës po i vjen fundi. Ishim ekipi më i ri në hendbollin kosovar. Shumica e lojtarëve bartës ishin prej 21 deri 24 vjet, ndërsa banka rezervë është përbërë nga hendbollistë të rinj, 15 deri 18 vjeç. Kur të shtohet fakti që Trepça ka pasur një riorganizim dhe ka pasur një ekip për t’u respektuar, atëherë gara ishte më interesante. Ne në Pejë që nga fillimi i edicionit kemi besuar në fitimin e të gjithë trofeve. Në ndeshjen për Kupë nuk i shfaqëm vlerat tona dhe trofeun e fitoi skuadra mitrovicase. Në finale arritëm të tregonim fytyrën e vërtetë të Besës dhe shënuam fitore të lehtë në Mitrovicë, ku edhe u shpallëm kampion”, ka shtuar Gjuka.

Ai beson se Besa Famgas do ta vazhdojë edhe për shumë vjet dominimin në hendbollin kosovar. Thotë se te Besa lojtarët e rinj janë shumë cilësorë dhe se ata do ta bartin barrën në të ardhmen. Por te Besa shpresojnë që edhe liga të jetë e fortë dhe konkurrenca më e madhe.

“Shpresojmë që rivaliteti vitet e ardhshme të jetë më i madh dhe klubet të organizohen më mirë, që hendbolli të jetë më cilësor dhe konkurrenca për trofe të jetë më e madhe. Kjo gjë do të ndihmonte shumë në ngritjen e cilësisë së lojtarëve dhe liga do të bëhej më garuese dhe më interesante. Ne në Pejë po punojmë që dominimi të vazhdojë edhe për shumë vjet të tjera”, ka shtuar Egzon Gjuka.

Në basketboll, Peja në finale të plejofit e mposhti Trepçën. Seria u vendos në pesë ndeshje, me kosh në sekondat e fundit të vazhdimit prej pesë minutave. Peja në basketboll është bazuar në lojtarët e huaj, por kontribut të madh kanë dhënë edhe vendorët. Peja kishte përkrahje të madhe të shikuesve në ndeshjet në “Karagaçi”, ndërsa arriti edhe deri në finale të Ligës Ballkanike, që nuk ishte ndonjë garë cilësore.

Image

Në basketboll, Kupën e fitoi Trepça, ndërsa Superkupën e fitoi Sigal Prishtina. Kupa e Superkupa kanë format të ngjashëm.

Peja nuk e kishte fituar titullin e kampionit prej vitit 2013.

Në volejboll, Peja ka fituar titullin e tretë rresht. Në finale të plejofit, KV Peja fitoi 3:2 ndaj Ferizajt. Kupa në volejboll i ka takuar skuadrës Skënderbeu.

Image

“Për herë të tretë u shpallëm kampionë, por këtë herë kampionati ka qenë shumë më i vështirë. Ekipet kanë qenë të forcuara dhe ne kemi hyrë në plejof nga vendi i katërt. Patëm vështirësi gjatë kampionatit, por luftuam shumë dhe arritëm të bëhemi kampionë sërish. Besoj kjo është një arsye edhe më e madhe që si kapiten të jem i kënaqur për këtë triumf”, ka thënë kapiteni i KV Pejës, Agron Nikçi.

Dikur Peja kishte kampionin edhe në futboll. Por Besa e Pejës ka mbetur si më keq. Është e fundit në Ligën e Dytë, që është niveli i tretë i futbollit kosovar. Ka një fitore, një barazim e plot 27 humbje. E ardhmja e KF Besës nuk duket e mirë, por skuadrat që shtëpi e kanë “Karagaçin” kanë bazën mbi të cilën mund të ndërtojnë ende dhe të kërkojnë suksese edhe në edicionet e ardhshme.