Adrion Pajaziti debutoi për ekipin e parë të Fulhamit të martën mbrëma, ndërsa ka gjasa të mira të debutojë edhe për shpresat e Kosovës kundër atyre të Anglisë, shtet ku edhe bën karrierë, muajin tjetër. Por, Pajaziti synon që nëpërmjet paraqitjeve të mira të arrijë që në një të ardhme të afërt të ftohet edhe tek ekipi A i Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Të martën, pikërisht në ditën kur përzgjedhësi i Kosovës U21, Michael Nees, e publikoi listën për kualifikimet e “Euro 2023” të kësaj grupmoshe kundër Anglisë, Pajaziti e pati njërën prej mbrëmjeve më të mira në karrierën e tij. Fulhami fitoi 2:0 në udhëtim te Birminghami në raundin e dytë të Kupës EFL, ndërsa Pajaziti ishte titullar dhe luajti gjatë tërë ndeshjen. 18-vjeçari ishte prej më të rinjve në fushë, por ky fakt nuk e pengoi të ketë paraqitje mbresëlënëse. U vlerësua shumë nga sajti zyrtar i Fulhamit, ndërsa me vota të tifozëve ishte i dyti më i votuar me 14 për qind, për epitetin e lojtarit më të mirë të ndeshjes.
“Marco Silva e ndryshoi tërë skuadrën dhe bëri ndryshime të mëdha nga fitorja kundër Hullit. Ndryshimet e dukshme ishin debutuesit e rinj të mesfushës, Adrion Pajaziti dhe Jay Stanfield. Dyshja e qendrës së mesfushës, Pajaziti dhe Tyrese Francois, e kishin situatën nën kontroll”, thuhej në raportin e sajtit zyrtar të Fulhamit pas ndeshjes. E lëvdata për Pajazitin në konferencën për shtyp pas takimit pati edhe trajneri i Fulhamit, Marco Silva.
“Ai është një djalë që e meriton ta ketë rastin e tij. Ai nuk punon ditë për ditë me ne, por kemi zhvilluar disa ndeshje kundër grupmoshës U23 dhe ai është lojtar që gjithmonë paraqitet mirë”, ka thënë trajneri Silva, që la të nënkuptohet më pas se llogarit në të edhe për duelet që Fulhami do t’i ketë në Championship, rangun e dytë të futbollit anglez. “Siç e dini, ne kemi disa probleme në mesfushë, disa lëndime në atë zonë. E luajtëm ndeshjen e katërt në 11 ditë. Natyrisht, duhet të bëjmë ndryshime në mesfushë në atë pozitë”.
Adrion Pajaziti, 18-vjeçar, i gjatë 1.80 metra, me pozitë natyrale në qendër të mesfushës, me prejardhje është nga Mitrovica, ndërsa u lind në Londër. Ka kaluar nëpër të gjitha kategoritë e shkollës së futbollit të Fulhamit. Por, zhvillimin e hovshëm e ka pasur në vitet e fundit. Nuk ka pasur dyshim për debutimin e tij pas paraqitjeve të mira, por nuk e ka ditur nëse do ta luante si titullar apo do ta luante tërë ndeshjen ndaj Birmighamit.
“Gjithçka ka shkuar mirë në atë ndeshje. Në fillim kam pasur pak emocione, por pas disa pasimeve dhe prekjeve të topit rritet vetëbesimi dhe gjithçka shkoi mirë. Nuk pata fare problem. Emocionet ishin të mëdha, pikërisht kur e kam parë se po më shikon familja”, ka thënë Pajaziti të mërkurën për KOHËN.
Pajaziti nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq. Ai shpreson që të ketë paraqitje edhe në Championship, por e ka parasysh se duhet të ketë durim.
“Duhet të kem durim dhe të pres derisa të më jepet rasti për kampionat. Duhet të punoj shumë e të ushtroj mirë çdo ditë, në mënyrë që ta fitoj plotësisht besimin e trajnerit”, insistoj Pajaziti.
Pajaziti po shkëlqen me grupmoshën U23 të Fulhamit. Me këtë grupmoshë luan rregullisht dhe është titullar i padiskutueshëm në pozitën e tij. Për këtë arsye është ftuar sërish nga Përfaqësuesja U21 e Kosovës, me të cilën nuk pati mundësi të debutojë në grumbullimin e shkuar.
“Me Fulhamin U23 kemi filluar mirë. Kemi dy fitore në dy ndeshje. E kam bërë një asistim shumë të mirë në lojën e parë. Synojmë të bëhemi kampionë në ligën U23”, theksoi Pajaziti, që e ka fituar ligën me Fulhamin U18, në sezonin 2019/20.
Kosova U21 më 7 shtator në orën 19:00 do të luajë në udhëtim kundër Anglisë në Milton Keynes. Ndeshja është e rëndësishme për kualifikimet e “Euro 2023”. Pajaziti thotë se njeh shumë lojtarë të kësaj grupmoshe. Me disa prej tyre ka marrëdhënie shumë të mira dhe njëri nga ta është lojtari i Liverpoolit, Harvey Elliot.
“E kam shok shumë të mirë. Ka luajtur për Fulhamin më parë dhe kemi qenë në të njëjtën shkollë. Njoh edhe lojtarë të tjerë si Steven Sessegnon e Ryan Sessegnon. Këta tre i njoh personalisht”, tha Pajaziti, që e vlerëson lart përfaqësuesen angleze, por beson në sukses nëse luhet si ekip e luftohet shumë.
Ai shpreson se kësaj radhe do të ketë minutazhë nga përzgjedhësi i Kosovës, gjermani Nees. Futbollisti mitrovicas shkollimin e ka përfunduar tash e dy vjet, me nota të mira. Është shumë i afërt me familje, ndërsa nuk ka shoqëri të gjerë dhe kalon pak kohë në lokale. Është i përkushtuar vetëm në futboll. Në të kaluarën edhe babai i tij ka luajtur futboll, por jo në nivele të larta.
“Për të ardhmen nuk e di se a do të jem gjatë te Fulhami apo jo. E di se çdo ditë dua të punoj për t’u bërë lojtar më i mirë. Me punë dhe paraqitje të mira besoj se do ta kem shansin t’i bashkohem edhe ekipit A të Kosovës”, përfundoi ai.