Lojtarët e Marokut po ndajnë vëmendjen e Kupës së Botës me disa nga tifozet e tyre më të zjarrta: nënat e tyre.
Shumë nga lojtarët kanë sjellë nënat dhe anëtarët e tjerë të familjes në Katar dhe kanë festuar me ta në stadiume pas serisë mbresëlënëse të fitoreve të përfaqësueses. Mesfushori Sofiane Boufal po kërcente me nënën e tij në fushë pasi Maroku mundi Portugalinë 1:0 të shtunën, për t'u bërë përfaqësuesja e parë afrikane dhe arabe që arrin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Ata u mbajtën për dore dhe kërcyen për kënaqësinë e turmës.
Mbrojtësi Achraf Hakimi postoi imazhe në rrjetet sociale të nënës së tij duke i dhënë një puthje në faqe, pasi shënoi penalltinë fituese kundër Spanjës në 1/8 e finales, javën e kaluar.
“Të dua mami”, ka shkruar ai.
Edhe trajneri Walid Regragui, ka festuar me nënën e tij, duke u ngjitur në tribunë pas ndeshjes me Spanjën për ta përqafuar atë, mes tifozëve të gëzuar të Marokut.
“Ne përfaqësojmë Marokun kështu që kemi një imazh që duhet ta përhapim në mbarë botën”, tha trajneri të martën. “Dhe për shkak se Kupa e Botës është vitrina më e mirë, ne duam t'u tregojmë tifozëve se sa afër janë lojtarët me familjet e tyre. Kjo është pjesë e kulturës sonë”.
Regragui tha se sjellja e familjeve në Kupën e Botës ishte pjesë e strategjisë së ekipit për të garuar në nivelin më të lartë. Ai thotë se deri më tani kjo strategji ka funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Maroku ende nuk di për humbje në pesë ndeshje të luajtura në Botërorin e Katarit. Ka shënuar katër fitore dhe ka një barazim. Krahas triumfit ndaj Spanjës dhe Portugalisë, të cilat i eliminoi në fazën nokaut, Maroku ka mposhtur edhe Belgjikën e Kanadanë në fazën e grupeve. Ndërkohë ka luajtur pa gola kundër Kroacisë. Maroku avancoi nga pozita e parë në Grupin F.
“Ne menduam për këtë me stafin dhe vendosëm për detaje si sjellja e anëtarëve të familjes sonë në përpjekje për të ndërtuar shpirtin e ekipit. Kjo na ndihmoi të shkonim larg në këtë turne”, tha Regragui. “Të gjithë po ndihen mirë në rrethin e tyre familjar dhe mendoj se kemi vepruar në mënyrën më të mirë të mundshme që kemi lejuar marrjen e anëtarëve të familjes në Katar”.
Maroku do të përballet të mërkurën në gjysmëfinale me Francën, kampionen në fuqi të Botës. Te Maroku kanë insistuar se janë maksimalisht të motivuar për ta fituar edhe këtë ndeshje dhe për ta prekur finalen.
Mesfushori Ilias Chair tha se mbështetja nga familjet do të thotë gjithçka për gjithë ekipin.
“Prindërit e mi dhe gruaja ime kanë ardhur dhe unë mendoj se të gjithë lojtarët e tjerë kanë prindërit dhe anëtarët e familjes së tyre këtu”, tha ai të martën. “Dhe kjo na ka dhënë forcë të madhe dhe shpresoj që të vazhdojë kështu. Nëse shikoni videot pas ndeshjeve të lojtarëve me prindërit e tyre, e kuptoni se është fantastike. Dhe i sheh njerëzit me lot në sy”.
Një festë të tillë, me nënat dhe familjarët e tyre, te Maroku po shpresojnë ta kenë edhe pas ndeshjes me Francën. Kjo ndeshje luhet në “Al Bayt Stadium” dhe nis në orën 20:00.