Sport

Challandes: Veprimet e gabuara në shtator, mund të na kushtojnë në tetor

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka thënë se në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve duhet vepruar me shumë kujdes.

Challandes (69), në një intervistë për KOHËN, ka theksuar se veprimet eventuale të gabuara në dy ndeshjet e radhës mund t’i kushtojnë skuadrës për duelin më të rëndësishëm të Kosovës, atë në tetor.

Në tetor Kosova do ta luajë ndeshjen më të rëndësishme, atë të plejofit të Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut. Nëpërmjet plejofit, Kosova mund ta sigurojë edhe paraqitjen në Kampionatin Evropian.

Challandes ka thënë se përzgjedhja e lojtarëve për duelet e javës së ardhshme kundër Moldavisë e Greqisë është bërë me kujdes. Ka shumë lojtarë të cilët rrezikojnë që nëse vijnë në Kosovë, të karantinohen me t’u kthyer në shtetet e tyre evropiane.

Trajneri zviceran ka folur në intervistë edhe për shumë gjëra që kanë të bëjnë me Përfaqësuesen.

KOHA: Keni vazhduar ditë më parë kontratën me FFK-në. Çka ju bindi të vazhdoni me Kosovën për dy vjet të tjerë?

Bernard Challandes: Për mua ka qenë vendim logjik, po flasim për futboll fillimisht. Nëse ju kujtohet, kam filluar në Francë me një ëndërr me këtë ekip, për të shkuar në Kampionatin Evropian. E kemi shfrytëzuar shansin me këtë ligë të kombeve, me ndeshjen e plejofit. Për mua ishte normale të qëndroja me ekipin. Kemi pasur situatën e COVID-it në këtë periudhë, situatë e veçantë, por sigurisht dua t'i shkoj deri në fund kësaj aventure me ekipin, e kam pasur kënaqësinë me të. Besoj se mund ta arrijmë këtë ëndërr.

Kosova do të grumbullohet sërish pas afro nëntë muajsh. Si është gjendja e futbollistëve?

Challandes: Është situatë ndryshe, e qartë. Kemi disa lojtarë që luajnë ndeshje në kampionate si në Suedi apo në Norvegji. Kemi lojtarë të cilët i kanë filluar përgatitjet për kampionatin e ardhshëm. Kemi lojtarë të cilët dëshirojnë të ndërrojnë klubin dhe kemi prej atyre që janë pa klub. Kjo do të thotë se nuk është e lehtë në këtë kohë të luash ndeshje të Ligës së Kombeve. Për shembull, Rrahmani në Napoli ka nisur shumë fort përgatitjet. Nuk mund të luajë dy ndeshje tani, brenda tri ditëve. Rreziku nuk është vetëm për lojtarët dhe klubet, por edhe për ne për në tetor. Çfarë bëjmë tani, ndoshta mund të ketë pasoja për në tetor. Kjo do të thotë se unë duhet të flas, të studioj me lojtarët dhe klubet situatën tonë, situatën e secilit lojtar dhe t'u jap kohë atyre, të bëj rotacione. Në kushte normale, kemi dy ndeshje të Ligës së Kombeve para Maqedonisë. Kjo do të thotë se dua të përgatitem për Maqedoninë me dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, t'i luajmë për të fituar, por në të njëjtën kohë të përgatitemi për ndeshjen kundër Maqedonisë. Por nuk mund ta vlerësoj dhe të mendoj, ndoshta ta fus ekipin titullar për duelin e tetorit. E pamundur, e pamundur, sepse kemi shumë probleme me lëndime, me këtë situatë se ku janë futbollistët. Dhe për momentin, tani nuk e di se kush do të vijë. Nuk jam i sigurt nëse Kololli, Kryeziu, Shala, Rashani, Rashica do të vijnë për një ndeshje, për asnjë ndeshje, për dy ndeshjet, nuk e di. Po luftojmë me klubet, me Qeveri. Në rregull, Kosova është në listën e kuqe. Për mua, për shembull, kam folur me autoritetet në shtetin tim, në kantonin tim, dhe kur të kthehem në Zvicër do të jem në karantinë. Për mua nuk është problem i madh, do të qëndroj në shtëpi, por për futbollistët është e pamundur. Dhe lojtarët duan që të vijnë. Disa lojtarë thonë "oh, unë do të vij edhe nëse do të hyj në karantinë nuk është problem". Jo, është problem, sepse nuk është mirë për ekipin përfaqësues, sepse nëse kthehen, ata nuk do të luajnë një ndeshje, sepse do të jenë në karantinë. Më pas nuk do ta luajnë ndeshjen e parë, sepse pas karantinës nuk mund të stërvitesh një apo dy herë dhe të luash. Dhe ndoshta ata nuk do të luajnë deri në tetor. Dhe, nuk ka kuptim për ne, nuk ka kuptim për lojtarët. Nuk është mirë as për klubet po ashtu, sepse janë të zemëruar me Federatën. Kjo do të thotë se duhet të flasim, duhet të provojmë zgjidhje të mira për ne, për lojtarët, për klubet, dhe është një punë e madhe në veçanti për Federatën, për Bajram Shalën, për të gjetur zgjidhje, për të gjetur mundësi me klubet, qeveritë. Ndonjëherë është e vështirë të pranohet. Për shembull, ekipi përfaqësues i Norvegjisë shkon në Irlandën Veriore, shtet në listën e kuqe po ashtu. Por Qeveria ka bërë përjashtim për lojtarët e Përfaqësueses, por jo për të tjerët.