Sport

Boksierët vetëm në dalje nga karantina do të testohen për koronavirus

Shtatë anëtarët e ekipit të Kosovës në boks janë në ditët e fundit në izolim. Ata u futën në karantinë në konviktet në Prishtinë, pas kthimit nga Londra ku morën pjesë në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike.

Me të ardhur në Prishtinë, boksierëve dhe drejtuesve të tyre u është bërë një kontroll e thjeshtë mjekësore, por jo edhe testi për koronavirus. Ndërkohë janë futur në izolim pikërisht për arsye të përhapjes së koronavirusit në gjithë botën, si masë mbrojtëse.

Udhëheqësi i delegacionit, Latif Demolli ka kërkuar që boksierët dhe tre drejtuesit të testohen për koronavirus, por kjo nuk ka ndodhur me arsyetim, sipas Demollit, se nuk kanë shfaqur simptoma dhe se janë mirë me shëndet.

Ndërkohë gjashtë pjesëmarrës në turneun në Londër janë prekur nga koronavirusi, tre në Turqi e tre në Kroaci, raporton Koha.net.

Zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli ka thënë se të martën (nesër) është dita e 14-të në izolim. Sipas Demollit për ta përfundon karantina nesër, por para se të shkojnë në shtëpi, boksierët do të testohen për koronavirus.

“Nesër bëhen 14 ditë që nga hyrja në karantinë. Unë kërkova nga KOK-u dhe MKRS-ja që t’i drejtohen Ministrisë së Shëndetësisë që para se të dalim të na bëhet testi për koronavirus. Fillimisht na thanë se nuk është nevoja, por pas insistimit na lajmëruan që për nesër do të na bëhet testimi. Ne jemi mirë me shëndet, por më mirë që të bëhet testimi, për shkak të shëndetit të sportistëve tanë”, ka thënë Demolli për Koha.net.

Edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka konfirmuar se planifikohet testimi për boksierët, dy trajnerët e tyre dhe udhëheqësin e delegacionit kosovar në Londër, Demolli. Në fakt turneu në Londër u ndërpre në gjysmë për shkak të koronavirusit. Ka pasur kritika të mëdha për fillimin e tij në kohën kur shumica e ngjarjeve sportive anuloheshin.

“Boksierët kanë kërkuar që para se të shkojnë në shtëpitë e tyre t’iu nënshtrohen testeve. Bazuar në kërkesën e tyre, i jam drejtuar ministres Vlora Dumoshi, që të bisedojmë me ministrin Arben Vitia. Në fund janë pajtuar që nesër boksierët t’i nënshtrohen testit”, ka thënë Hasani.

Boksierët janë të vetmit sportistë të Kosovës që janë izoluar pas kthimit nga ndonjë vend tjetër. Në konvikte tashmë janë dhjetëra persona që janë kthyer në Kosovë në ditët e fundit.

Boksierët nuk janë lejuar që të ushtrojnë në oborrin e konvikteve. Po ashtu ka pasur kërkesa prej tyre që të vazhdojnë izolimin në shtëpi, por që fillimisht nuk janë pranuar.