Sport

Boksierët kosovarë mbesin të ngujuar në Londër

Foto: FBOXK

Ekipi i Kosovës në boks ka kërkuar ndihmën e Qeverisë për t’u kthyer në Prishtinë nga Londra.

Boksierët kosovarë kanë mbetur të ngujuar në Londër, ku ishin duke marrë pjesë në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) mori vendim të hënën pasdite për të pezulluar turneun.

Për t’u kthyer në Prishtinë, boksierët kërkojnë ndihmën e Qeverisë së Kosovës. Në fakt autoritetet e Kosovës kanë marrë vendim që të pezullohen gjitha linjat ajrore, me përjashtim të atyre ushtarake dhe atyre me ndihma.

“Jemi në pritje të ndihmës nga Qeveria për t’u kthyer në Prishtinë. Ne nuk kemi vizë shengen dhe nuk mund të lëvizim nga shtetet tjera, por edhe në Prishtinë nuk na lejohet hyrja pas vendimit të Qeverisë. Shpresojmë që të na lejohet kthimi me aeroplanin që sjell mallra nga Anglia për në Prishtinë. Biletën kthyese e kemi më 25 mars, datë deri kur e kemi edhe të paguar hotelin. Por, nëse mbesim edhe më gjatë këtu, atëherë shpenzimet na është thënë se do të na hiqen”, ka thënë zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli për “KTV”.

Në Londër kanë udhëtuar katër boksierë, dy trajnerë dhe zëdhënësi Demolli. Tre boksierët, Patriot Behrami, Shpejtim Bajoku dhe Besart Pireva u eliminuan në raundin e parë, ndërsa Donjeta Sadiku kaloi në raundin e dytë dhe ishte paraparë të luftonte sot, por turneu është pezulluar.