Sport

Betim Halimi, titullar në katër ndeshjet miqësore

Betim Halimi e ka fituar vendin e titullarit në skuadrën e Olympic Donetskut.

Takimin e fundit, nga fillimi e luajti edhe kundër skuadrës së Dinamo Kievit, ndaj së cilës pësoi disfatë me rezultatin, 2:0.

Katër duelet e fundit kanë qenë ndeshje kontrolluese, pasi këtë javë rifillon kampionati ukrainas.

Lajmi për rifillimin e kampionatit është bërë i ditur nga vetë portieri kosovar për KOHËN.

“Këtë javë fillon kampionati, edhe pse nuk ka qenë e sigurt a do të fillojë këtë javë apo më 6 qershor. Të martën në mbrëmje është marrë drita e gjelbër për rinisje. Shpresojmë të kemi sukses”, ka thënë Halimi.

Për 10 ditë, Olympic Donetsku ka luajtur katër miqësore. Ka marrë tri fitore dhe ka pësuar një herë. Thotë se ndeshjet pa shikues, shkaku i pandemisë, janë shumë të çuditshme.

“Të jem i sinqertë, ndeshjet pa tifozë janë të njëjta me seancat stërvitore. Nuk jemi mësuar pa asnjë njeri në stadium veç lojtarëve. Është ndjenjë e çuditshme. Sidoqoftë, siguria është e madhe. Dezinfektohen stadiumet e vendet ku qëndrojmë. Nuk po bëhet panik për koronavirus anipse për momentin janë 22 mijë të prekur me Covid-19. Shpresoj që të luaj edhe në fundjavë pasi kam pasur paraqitje shumë të mira në miqësore dhe e kam përmirësuar lojën me këmbë, aty ku kam pasur nevojë. Këtë e kam arritur gjatë pushimit. Fizikisht, psikikisht dhe taktikisht jam shumë mirë dhe e pres rastin”, nënvizoi ai.

Portieri i gjatë 204 cm me ekipin ukrainas, në edicionin e sivjetmë deri para pezullimit të garave për shkak të koronavirusit, ishte titullar në 4 ndeshje, por për shkak të dëmtimit që e pësoi në gishtin e këmbës, mungoi kohë të gjatë. Lëndimi ia mohoi edhe paraqitjen me ekipin e parë të Kosovës në miqësoren ndaj Suedisë në janar. Portieri Halimi karrierë ka bërë në klube të vendit, së fundmi te Drita e Gjilanit, derisa rrugën për në Olympic Donetsk e mori në shkurt të vitit të kaluar dhe ka kontratë deri në vitin 2022.

24-vjeçari nga Pozherani më herët është paraqitur edhe për grupmoshat e reja të Kosovës.