Arbër Zeneli pati një zhvillim të shpejtë në karrierë. Brenda pak vitesh arriti të jetë pjesë e një prej pesë ligave më të forta të Evropës, Ligue 1 të Francës, ndërsa u bë edhe yll i Përfaqësueses së Kosovës. Rrugën drejt Remsit francez Arbri e nisi nga një prej klubeve më në zë në futbollin suedez, Elfsborgut, ku aktualisht po zhvillohet vëllai i tij i vogël, Besforti.
Besforti vlerësohet shpresë e madhe e Elfsborgut. Paraqitjet dhe golat e tij vendimtarë për të rinjtë e Elfsborgut tërheqin vëmendjen e mediumeve të shtetit skandinav. Mediat në Suedi shkruajnë për paraqitjet e tij të mira dhe në raste e vlerësojnë edhe me vëllain e tij të madh, Arbrin. E rrugën e Arbrit e ëndërron edhe vetë Besforti. Madje, thotë se ëndrra e tij është që një ditë të luajë bashkë me Arbrin në një klub, e po ashtu edhe te Kosova.
“Planet në karrierë janë që të shkoj sa më lart që është e mundshme dhe të luaj në një skuadër me vëllanë tim. Dëshira më e madhe në karrierën time si futbollist do të ishte që një ditë të jem së bashku me Arbrin te Përfaqësuesja e Kosovës”, ka thënë Besforti të dielën për KOHËN.
Besforti e ka nisur karrierën që nga mosha gjashtëvjeçare dhe asnjëherë nuk i është ndarë skuadrës IF Elfsborg. Zhvillimi i tij ka shkuar me hapa të shpejtë, ashtu si edhe i vëllait të tij, Arbërit.
Ai i ka kaluar të gjitha grupmoshat e këtij klubi. Si 18-vjeçar është pjesë e grupmoshës U19, ndërsa luan shpeshherë edhe me grupmoshën U21.
Me grupmoshën U19 prin në statistika. Në 16 ndeshje ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me nëntë asistime. Pozicionohet në vendin e katërt në “Allsvenskan” e të rinjve me 30 pikë, vetëm tri pikë më pak se lideri Malmo.
“Besoj se jam duke shkuar hapave të vëllait, Arbrit. Arbëri ka merita të mëdha që nga fillimi i karrierës sime e deri tani. Ai më ka inspiruar që unë të jem një talent si ai”, ka shtuar tutje Zeneli 18-vjeçar, që luan në pozita të ndryshme të sulmit. “Ndihem mirë që vlerësohem shumë në Suedi për talentin. Kjo gjë më jep vullnet ta shpreh më të mirën në fushën e futbollit. Paraqitjet me skuadrën time sivjet janë shumë të mira”, thotë Besforti.
Megjithatë, 18-vjeçari i talentuar nuk jep kontribut vetëm për atë grupmoshë.
Statistika impresionuese ka edhe me skuadrën U21. Ka shënuar tri gola e dy asistime, ndonëse me tre vjet më pak se të tjerët.
“Njësoj si skuadra, edhe unë i kam sukseset e mia individuale. Por, këto nuk janë edhe aq të rëndësishme. Jam i fokusuar për ta ndihmuar skuadrën për t’i arritur objektivat që i kemi”, thotë ai. “Kam pasur momente shumë të mira në karrierë. Së pari jam shumë i kënaqur që e kam mposhtur konkurrencën. Jam krenar që po e ndihmoj ekipin me asistime dhe me gola të realizuar. E kam besimin për momentin dhe kjo është gjëja më e mirë”, ka nënvizuar Zeneli.
Besfort Zeneli nuk ka luajtur me asnjë grupmoshë të Suedisë, ndonëse mundësinë e ka. Por, ai është i vendosur ta përfaqësojë Kosovën, ashtu si edhe vëllai i tij, Arbri, me të cilin shpreson të luajë bashkë në fazën e sulmit në të ardhmen.