Besa Famgas në konkurrencën e meshkujve dhe Vushtrria në atë të femrave janë fitues të Kupës së Kosovës këtë edicion në hendboll. Besa në finalen e luajtur të dielën në Prishtinë mposhti Prishtinën, 23:21, kurse Vushtrria atë të Istogut, 22:17.
Për klubin pejan ishte Kupa e nëntë në dekadën e fundit dhe të 11-in pasluftës.
Besa Famgas, drejtuar nga trajneri spanjoll Javier Cabanas, ditë më parë e fitoi edhe titullin e kampionit të Kosovës, që ishte i 14-ti i pasluftës dhe i shtati rresht.
Skuadra e Prishtinës ishte më e mirë në start të ndeshjes finale me Petrit Prekazin që në këtë pjesë të lojës i dha epërsinë ekipit të vet me dy gola të shpejtë.
Besa golin e parë e shënoi nëpërmjet Tahirukajt pas 4 minutave lojë.
Lojë e barabartë u zhvillua në 15 minutat e para kur rezultati ishte 7:7, por më pas Besa Famgas e mori lojën në dorë dhe e mbylli këtë pjesë 12:10.
Në pjesën e dytë, kryeqytetasit nuk e patën forcën që të ktheheshin në lojë dhe takimi u mbyll me shifrat, 23:21.
Më i dalluari te Besa Famgas ishte Drilon Tahirukaj me 10 gola, ndërsa kontribut dha edhe portieri Arti Luzha.
Te Prishtina, Deniz Terziqi ishte më i miri, por 8 golat e tij nuk e shpëtuan Prishtinën nga humbja. Pritje të shumta pati edhe portieri Armir Agushi.
Ndërkohë, fituese e Kupës në konkurrencën e femrave është Vushtrria, pas fitores ndaj Istogut. Vushtrria njëherësh e fitoi këtë trofe për herën e katërt që nga paslufta.
Vushtrriaset në finalen e zhvilluar po ashtu në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, mposhtën ato të Istogut me shifrat 22:17, në një finale interesante e të luftuar deri në fund.
Vetëm gjashtë minuta në këtë duel iu deshën Vushtrrisë për t’u shkëputur në rezultat, ndërsa tre gola epërsi, ato i kishin në minutën e 10-të. Istogu krejt çka arriti në këtë pjesëlojë, ishte afrimi i rezultatit në një gol, por Vushtrria nuk lejoi befasi dhe me mbrojtje të fortë e sulm efikas, shkoi deri në gjashtë gola përpara. 13:8 ishte rezultati pas pjesës së parë.
Epërsinë skuadra e Vushtrrisë nuk e lëshoi edhe në pjesën e dytë, kurse Istogu vetëm se u afrua (16:15), por nuk doli në epërsi.
Te Vushtrria lojë të mirë pati portierja Njomza Kelmendi, ndërsa Burneta Rama u dallua te skuadra e vet me 9 gola të realizuar. Edhe te Istogu u dallua portierja e ekipit, Blerta Ahmetxhekaj, ndërsa kapitenia Albina Rugova priu me 7 gola të shënuar.